Aktuale

Një i zhdukur dhe gjashtë të plagosur nga një shpërthim i fuqishëm në Athinë

6 të plagosur dhe një i zhdukur është bilanci i një shpërthimi në një “fast food” në sheshin “Viktoria”, në qendër të Athinës.

Sipas informacioneve të deritanishme, shpërthimi u provokua nga një bombul gazi dhe menjëherë në “fast food” shpërtheu një zjarr i fuqishëm.

Zjarrfikësit dhe ambulancat mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe mundën të nxirrnin nga lokali 6 të plagosur, ndërsa informacione ende të pakonfirmuara bëjnë fjalë për një person të zhdukur që punonte në bodrumin e godinës.

Autoritetet mohojnë në mënyrë kategorike zjarrvënien e qëllimshme ose mundësinë e një sulmi terrorist. Besohet se ka qenë rrjedhja nga bombula e gazit ajo që ka provokuar shpërthimin.

Lokalet në zonën e sheshit “Viktoria” qëndrojnë 24 orë hapur për shkak të lëvizjes së madhe në zonë si dhe përqendrimit të lartë të emigrantëve që mbërrijnë në Athinë dhe nuk kanë ku të kalojnë natën.