Arsim & Kulturë

Noel Malcolm, një biletë për në Romë

Historia e Antonio Brunit, një personazh që do ta çonte historianin e njohur në një udhëtim të jashtëzakonshëm në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, për të dalë prej andej me një histori krejtësisht shqiptare… “Agjentë perandorakë” tregon sesi historitë shqiptare përshkruajnë hapësira të ndryshme të historisë europiane.

Sekreti është gjithnjë në një libër. Historianët e dinë më së miri këtë. Sesi një libër të shtyn në një ngjarje e cila mund të t’i japë një tjetër kah mënyrës sesi ke parë një periudhë të caktuar, apo të njohë me personazhe që deri në atë moment kanë qenë të padukshëm, por njohja me ta, është nga ato takimet që nuk duhen humbur.

Kjo i ndodhi Noel Malcolm, gati njëzet vjet më parë, teksa ishte duke lexuar një libër në italisht të shekullit të 16 për Perandorinë Osmane.

“Zunë të më shkonin mornica në trup”, kujton ai atë moment. Autori bënte fjalë për një traktat rreth provincës kryesore europiane të kësaj perandorie shkruar nga njëfarë Antonio Bruni; paskëtaj teksa diskutonte për shqiptarët, thoshte se informacioni rreth tyre gjendej në veprën e Brunit, bashkatdhetar i tyre.

“Para syve të mi kisha referencën e një teksti për ose të paktën pjesërisht për Shqipërinë, të shkruar nga një shqiptar – diçka me vlerë të veçantë për ata që studiojnë historinë e këtij vendi, pasi dukej që kjo ishte vepra e parë e llojit të saj e shkruar ndonjëherë nga një autor shqiptar me emër e mbiemër”, thotë Malcolm. Deri në atë kohë ai nuk kishte lexuar askund për këtë traktat. Qëmtimet e mëvonshme do të nxirrnin në dritë se ai ishte i pabotuar, krejt i panjohur.

“Një tekst i sotëm universitar shqiptar dukej se citonte diçka prej tij, por materiali i cituar përbëhej vetëm nga një detaj i dhënë në librin italisht të shekullit të 16-të, në pjesën ku përmendte veprën e Brunit”, thotë Malcolm.

Sa për Antonio Brunin, dukej se ky ishte një figurë krejt e padukshme, i cili nuk kishte lënë asnjë gjurmë të ekzistencës së tij në historinë shqiptare. të vetmen përmendje të emrit të tij ai do ta gjente tek një vepër e Peter Bartl, i cili shënonte se një person me atë emër me sa dukej kishte ndërmjetësuar për një prift që kishte shkarë nga binarët (i cili më vonë u bë ipeshkëv shqiptar) në Romë, në një datë të papërcaktuar në të dalë të shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Gjithçka tjetër deri në atë fazë ishte mbuluar nga heshtja.

Sipas Malcolm ishte e natyrshme që traktati i Brunit të mos kishte mbijetuar në asnjë lloj forme. Por ai e dinte se në Italinë e Rilindjes traktatet dorëshkrimore me natyrë politiko-gjeografike ishin një zhanër në modë dhe ato shpesh qarkullonin në shumë kopje…

Ideja për të hulumtuar mbi këtë personazh, ishte një grishje e brendshme të cilën duket se e shtynte më shumë fluturat e historisë që bëhen të zhurmshme kur shohin një detaj që mund t’i ftojë në fluturim. I tillë ishte dhe ky personazh për historianin Malcolm, i cili herët e kishte parë Shqipërinë si një vend me lidhje të hershme me Europën. Ai do të provonte me rrugë të ndryshme për të gjetur vendndodhjen e këtij traktati, duke kërkuar referencat e burimeve të tjera dorëshkrimore në librin italisht dhe paskëtaj, duke u vënë në gjurmimin e vendndodhjes së këtyre dorëshkrimeve me shpresën se vepra e Brunit kishte udhëtuar bashkë me to. Dhe pavarësisht këmbënguljes për të rënë në gjurmët e këtij traktati, si gjithnjë ishte fati ai që e çoi tek ai.

“Në një tezë doktorate në italisht të kohëve të fundit, autori kishte renditur me kujdes gjithë përmbajtjen e një vëllimi dorëshkrimesh të ndryshme në Bibliotekën e Vatikanit. Teksa e lexoja këtë përmbajtje, vështrimi më rroku emrin e Brunit dhe titulli i veprës së tij. Brenda dhjetë minutash kisha rezervuar fluturimin për në Romë”, thotë Malcolm.

Kur më në fund do të mbante në dorë dorëshkrimin e traktatit të Brunit, ai do të shihte se shihte se nuk ishte aq i gjatë sa kishte shpresuar, madje nuk ishte vetëm për Shqipërinë, edhe pse përmbante shumë çështje me interes për këtë vend…Kjo vepër do ta çonte historianin Malcolm në një udhëtim të jashtëzakonshëm në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, dhe për të dalë në fund të këtij udhëtimi me një libër që tashmë ka ardhur dhe në gjuhën shqipe “Agjentë perandorakë” (Dudaj) nën përkthimin e Kastriot Myftiut.

Por për të shpjeguar këtë vepër, Malcolm duhet të jepte shpjegime se kush ishte Bruni, e pse kishte zgjedhur ta shkruante atë. “Disa të dhëna rreth veprimtarisë së tij dilnin nga vetë teksti, ndaj dhe dorëshkrimi më dha vetëm dy detaje rreth tij. Njëri ishte emri i tij, i dhënë aty si Antonio Bruno, jo Bruni. Përpjekja për të gjetur më shumë informacion rreth tij, duke përdorur atë emër ishte e pamundur, pasi të dyja format e emrit janë tepër të zakonshme në kulturën dhe historinë italiane. Detaji tjetër ishte vetë emri i qytetit nga vinte ai “Dolcigno, ose Dulcigno-Ulqin në Malin e Zi. E dija që njëfarë Xhovani Bruni i Ulqinit kishte qenë arqipeshk vendas, kështu që e nisa me të, me shpresën se ndoshta gjeja ndonjë lidhje familjare”, thotë historiani.

Pak nga pak, me një punë detektivi, ai do të bënte bashkë historinë e familjes duke gjurmuar disa të afërm të Antonio Brunit, derisa do të kuptonte se në duar kishte një projekt të madh. Kjo ishte një histori familjare me një pasuri të veçantë dhe me një dramë të vërtetë të rrallë, që ishte e ndërthurur ngushtë me disa prej ngjarjeve më të mëdha të historisë europiane të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, sidomos me marrëdhëniet mes botës së krishterë dhe asaj osmane. Për shumë vite, ai kishte studiuar rrugët përmes të cilave këto dy botë ishin përplasur dhe lidhur me njëra-tjetrën në periudhën e hershme moderne.

“Spektri i plotë i ndërveprimeve midis të krishterëve perëndimore dhe osmanëve luhatej nga lufta dhe kusaria detare nga njëra anë, përmes spiunazhit, mbledhjes së informacioneve sekrete dhe diplomacisë e deri te tregtia, bashkëpunimi dhe punësimi i njëmendtë i osmanëve në anën tjetër. E Malcolm mund të shihte sesi anëtarët e familjes së Antonio Brunit ishin ndodhur në kohë dhe vende të ndryshme, në secilin prej atyre vendeve dhe spektrit. Kështu e shkroi librin. Në një kohë kur shkenca shqiptare e historiografisë vazhdon të qëndrojë e heshtur përballë së shkuarës, një i huaj pasionant i historisë na bën dhuratë një studim që lidhet me historinë e viseve shqiptare duke tërhequr vëmendjen për fillin shqiptar që përshkon hapësira të ndryshme të historisë europiane. “Vetë historianët shqiptarë kanë shkruar deri-diku pak rreth shekullit të gjashtëmbëdhjetë, duke i kushtuar më shumë vëmendje epokës së heroit të tyre kombëtar Skëndërbe, në njërën anë dhe në anën tjetër, shekullit të shtatëmbëdhjetë, që është i dokumentuar më së miri”, thotë Malcolm.

Sipas tij, ky libër i kushton një pjesë të vogël ngjarjeve brenda kufirit të shtetit të sotëm shqiptar. Nga të gjitha jetëshkrimet e njerëzve që ai përpiqej të ndërtonte, vetëm njëri Bartolomeo Bruti kishte arritur të tërhiqte vëmendjen e historianëve, përfshi këtu dhe historianin rumun Nicolae Iorga. Gjurmimi i të dhënave biografike të personazheve të kësaj periudhe do të zinte pjesën më të madhe të kohës së historianit. Është profesionale, dhe e brendshme shpesh nevoja që kanë historianët për të shpëtuar një personazh nga shekujt e harresës. Janë disa personazhe që Malcolm i ka kthyer në jetë me këtë studim jo vetëm familjet Bruti dhe Bruni. Sipas tij, ky studim nuk mëton të jetë një histori e përgjithshme e Europës së gjysmës së dytë të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, por ai përpiqet të ndërtojë hap pas hapi një panoramë të marrëdhënieve si bashkëpunuese, ashtu edhe bashkëpërplasëse, diplomatike dhe ushtarake, ndërmjet perandorisë osmane dhe një sërë fuqish të krishtera, duke sfiduar disa hipoteza. Për David Wootton i Wall Street Journal, ky studim është një pasqyrë e Mesdheut në shekullin e 16-të që nga koha e Fernand Braudel-it.

/Shqip

Leave a Reply