Aktuale

Nuk miratohet rezoluta për të pagjeturit që shkaktoi tensione në Kuvend

Ka dështuar të miratohet në Kuvend të Kosovës rezoluta për çështjen e të pagjeturve, raporton Gazeta Express.

Kjo rezolutë ishte mbështetur nga 6 deputetë të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”.

Megjithatë, kjo pikë mori 41 vota, që nuk mjaftuan për ta kaluar atë.

Përpos deputetëve të Vetëvendosjes, pro kësaj rezolute ishin edhe ata të PDK-së.

Deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, parashtroi 2 pikat që përfshihen në këtë rezolutë, si dhe kërkoi votën e deputetëve për këtë pikë.

“Këto janë pikat e dy rezolutës: Kuvendi i Kosovës thekson se çështja e personave të pagjetur nuk mund të ndërlidhet, kushtëzohet apo të ndërvaret nga asnjë çështje tjetër. Qeveria e Kosovës duhet të ndërmjetësoj në adresimin e çështjes së të pagjeturve në harmoni me standardet dhe mekanizmat ndërkombëtar. Pika 2: Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës të mos pranoj të bisedoj me cilindo zyrtar nga Serbia pa ofrimin e menjëhershëm të informacioneve për vendndodhjen e gjithë personave të cilët nuk janë gjetur gjatë luftës së fundit. Kërkoj përkrahjen e gjithë deputetëve për këtë rezolutë”, kishte deklaruar Bogujevci.

Në seancën e kaluar kur është diskutuar kjo pikë ka pasur tensione në Kuvend të Kosovës që përfunduan me përleshje fizike./Express/