Aktuale

O’Connell: Kosova të çlirohet nga emërimet politike dhe nepotizmi

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’Connell, ka tërhequr vërejtjen se korrupsioni dhe nepotizmi mbesin probleme serioze në Kosovë.

Ai këto komente i bëri pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Britanisë së Madhe lidhur me rekrutimin e pozitave të larta drejtuese.

Diplomati britanik tha se Kosova nuk përparon me njerëz jo profesional, pasi që ata punojnë për të avancuar qëllimet e shefave të tyre.

“Korrupsioni dhe nepotizmi, mbesin probleme serioze për Kosovën. Shpërfaqja më e mirë e këtyre dukurive janë rastet e emërimeve publike të njerëzve jo profesional, të cilët nuk janë aty për të ndihmuar agjencionin, por për të avancuar qëllimet e shefave të tyre. Të arriturat e tyre të gjithë e dimë. Me njerëz të tillë nuk përparon Kosova. Në fakt, Kosova duhet të çlirohet nga njerëzit e tillë. Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë interes të përbashkët që Kosova të jetë vend i sigurt, i prosperuar dhe zhvilluar ekonomikisht e politikisht. Që Kosova të ecë përpara ju keni nevojë për njerëz të mirë, të aftë dhe të pavarur në institucionet publike. Kjo është arsyeja për të cilin ne e filluam projektin e rekrutimit”, tha ai.

O’Connell ka thënë se është i sigurt që qytetarët e Kosovës nuk janë të kënaqur kur punësohen personat në shumë institucione nga partitë politike.

“Bordet e ndërmarrjeve publike, kryeshefa ekzekutiv apo sekretar permanent emërohen pa ndonjë proces të mirëfillta regrutimi. Apo me vetëm 15 minuta intervistë sa për sy e faqe. Gjatë vitit të kaluar projekti pati fillim të ngadalshëm. Nga tetë procese të rekrutimit të zhvilluara përmes ndihmës nga projekti jonë, institucionet e Kosovës përmbyllën me sukses dy emërime. Drejtorin e doganave dhe kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë së Punësimit, të cilët u përzgjodhën në bazë të meritës. Mirëpo, me një lule nuk çel pranvera. Mua më vjen shumë mirë që kryeministri dhe partnerët e koalicionit kanë vendos të vazhdojnë këtë projekt. Siç i kam thënë edhe herën e kaluar, projekti jonë konsiston me mbështetjen e dhënë paneleve rekrutuese për përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë në bazë të meritave përmes proceseve profesionale dhe transparente. Emërimi final i personave nëpër pozita i takon Kosovës”, tha a i.

O’Connell ka thënë po ashtu se suksesi i këtij projekti do të jetë sukses i Qeverisë së Kosovës. Ai po ashtu tha se Qeveria mund të procedojë menjëherë edhe një çështje tjetër përmes procesit fer, i ndihmuar me panelet rekrutuese të bordit të KEK dhe PTK-së të përgatisin listën e shkurtër të kandidatëve.

Diplomati britanik po ashtu ka shprehur shqetësimin për numrin e vogël të grave që aplikojnë dhe si rezultat drejtojnë me pozita të larta.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, ka falënderuar ambasadorin britanik për përkrahje e po ashtu e ka treguar edhe qëllimin që ka ky memorandum, duke thënë se kjo ka të bëjë me një ekspertizë falas dhe ndihmë.

“Memorandumi i sotëm hyn në karakterin e marrjes së ekspertizës, kjo nuk e vë në dyshim zotë shtëpinë ose, kapacitetin ose të tjera. Është praktikë për shumë tema marrja e ekspertizë në fakt shpesh për këtë ekspertizë paguhet. Ne e kemi falë këtë ekspertizë. Kjo është vetëm ndihmë nuk e cenon atë kush është Kosova. Duhet ta kemi parasysh se vërtet është që vuajmë prej këtyre fenomeneve që u ceken nga ambasadori. Tani ne shumë herë dëshirojmë mos me i pas parasysh ato, por është vlerësim i përgjithshëm se nuk kanë shkuar mirë këto procese nëpër etapa. I tërë memorandumi është i dakorduar prej zyrtarëve ligjorë të Kosovës”, tha Haradinaj.

Kryeministri po ashtu ka thënë se do të ndryshojë gjendja në shumë borde e agjenci, duke folur edhe për përgjegjësit që duhet të japin përfaqësuesit e këtyre bordeve.

Ai po ashtu ka thënë se kanë për obligim shkurtimin e numrit të bordeve dhe agjencive pasi kjo është edhe një obligim që del nga MSA dhe ERA.

“Ne e kemi një problem në Kosovë edhe ky problem është serioz ka shumë agjencie Kosova, qeveritare, parlamentare, një numër i madh. E kemi direkt detyrë nga MSA dhe ERA, për ta reduktuar këtë numër. Gati në përgjysmim është numri. Ndoshta duhet me bërë edhe ligjin për Qeverinë e vendit, se Qeveria nuk ka ligj. Për këtë arsye është numri kaq i madh i ministrive në të ardhmen kishim mund të bëjmë një ligj për Qeverinë, me bërë tash dhe me ia propozuar parlamentit që kur formohet qeveria e ardhshme nuk humbin sektorë”, tha Haradinaj.

Ai po ashtu ka folur edhe për anëtarët e bordeve të shkarkuara kohët e fundit, duke përfshirë edhe shkarkimin e anëtarëve të Komisionit për demarkacion, Agjencisë së akreditimit ku për këta të fundit tha se janë raportuar nga Agjencia Kundër Korrupsion. /kp/