Aktuale

Opozita kundër kriminalizimit të lirisë së shprehjes

Ndryshimi i Kodit Penal dhe atij të Procedurës Penale nuk është pritur mirë nga partitë opozitare dhe nga organizatat jo qeveritare. E gjithë kjo pasi që në pikën D të këtij neni sanksionohet shpifja ndaj organeve kushtetuese.

“Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara shpif ndaj një organi kushtetues, Presidentit, Kuvendit, Qeverisë, Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës ose një prej anëtarëve të tyre në këtë kapacitet në një mënyrë të dëmshme për respektimin e shteti dhe kështu qëllimisht mbështet përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës së Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, do të dënohet me burgim nga tre muaj deri në pesë vjet,” thuhet në pikën 1.

Ndonëse në këtë pikë nuk ceket saktësisht kush, pra a hyjnë këtë vetëm shoqëria civile apo edhe deputetët, një gjë e tillë nuk i ka pëlqyer askujt.Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj në një prononcim për portalin Arbresh.info ka thënë se deklarimet e përfaqësuesve të popullit në ambientet e punës edhe para publikut nuk duhet t’i sanksionojë askush.

“Çdo deklarim pa fakte e pa argumente që mund të dërgojë në denigrimin e personave publik, apo në rrezikimin e jetës së personave duhet të sanksionohet. Deklarimet e përfaqësuesve të popullit në ambientet e punës së tyre por edhe para publikut duhet konsideruar si deklarime politike dhe si të tilla nuk duhet të tentojë askush ti sanksionojë sepse atëherë po kthehemi nga Republike Parlamentare demokratike në një diçka tjetër që nuk i bënë nderë askujtë.

Pra e drejta e shprehjes në demokraci duhet të lejohet, por ajo duhet të jetë në masën që nuk e cenon lirinë e tjetrit apo sigurinë publike e të qytetarëve të Kosovës”, është shprehur ai.Shkodran Hoti nga Lëvizja Vetëvendosje për Arbresh.info ka thënë se plotësim-ndryshimet në Kodin Penal janë tentim pët ta ndërtuar një shtet autoritar.“Ministria e Drejtësisë drejtohet nga njëministre e cila është “kukull” e një qeverie kriminale dhe të korruptuar, dhe është dikasteri më i kapur që në vend të drejtësisë, ka sjellur edhe më shumë krim e korrupsion. Plotësim-ndryshimet në Kodin Penal janë tentim pët ta ndërtuar një shtet autoritar, pasi që parashohin kufizim maksimal të të drejtave politike, janë masa për të mbytur zërin kundërshtues të qytetarit, pra si përfundim, për ta nënshtruar shoqërinë”, është shprehur ai.Sipas Hotit këto masa që parashihen në Kod Penal janë modele të ekstremit të djathtë“Po të ishte e interesuar për drejtësi Dhurata Hoxha, s’do të merrej me broçkulla të tilla, por do të angazgahoj për t’i çuar para nismat për konfiskim të pasurisë së paligjshme. Këto masa që parashihen në Kod Penal janë modele të ekstremit të djathtë. Sidoqoftë, veprimet e tilla do të hasin në rezistencën tonë dhe s’do të na frikësojnë asnjëherë”, ka thënë ai.

Edhe organizatat joqeveritare kanë reaguar lidhur me ndryshimet në këtë kod. Organizatat nënshkruese si Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Organizata Cohu, Instituti Demokratik i Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në reagimin e tyre kanë thënë se kundërshtojnë fuqishëm draftligjin e hartuar të Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.“Draftligji i propozuar shkel thellësisht parimet fundamentale të një shteti demokratik ku respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut. Qëllimi i Ministrisë së Drejtësisë që të kriminalizojë lirinë e shprehjes përbën një hap drejtë autoritarizimit të Kosovës, dhe në kundërshtim të plotë me rrugën e reformave Evropiane për të cilat Republika e Kosovës duhet të jetë e përkushtuar”, thuhet në reagim.Po ashtu këto organizata vlerësojnë që draft-ligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë është hartuar në një proces krejtësisht të mbyllur ku sipas tyre nuk është thirrur grupi punues përkatës, dhe është nxjerr në publik në një mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme.