Rajon & Botë

Orari dhe detajet e betimit të Bidenit si presidenti i 46-të i ShBA-së

E mërkura e 20 janarit është ditë e veçantë në Shtetet e Bashkuara. Në këtë datë përfundon mandati i një presidenti nacionalist dhe populist që i turpëroi Shtetet e Bashkuara në skenën ndërkombëtare dhe vjen në pushtet një president që premton kthim të prestigjit diplomatik dhe politikave racionale në shtetin më të fuqishëm të botës. Cilat janë procedurat e inaugurimit të Bidenit në ditën që për miliona amerikanë e nënkupton fundin e një ankthi?

Para se të fillojë procesi i inaugurimit të Bidenit si president i 46-të i Shteteve të Bashkuara, presidenti në largim, Donald Trump, pritet që në orën 8 të mëngjesit sipas kohës lokale të udhëtojë në një bazë ushtarake në Maryland. Shtëpia e Bardhë ka dërguar ftesa për një organizim që do të mbahet në këtë orë. Pak hollësi janë publikuar rreth këtij tubimi, por pritet që Trumpi të mbajë ceremoni lamtumirëse, të shoqëruar me nderime ushtarake dhe brohoritje nga përkrahësit.

Pas kësaj ceremonie, Trumpi do të udhëtojë me aeroplan drejt kompleksit luksoz, Mar-a-Lago, që pritet të jetë shtëpia e tij tani e tutje. Ai nuk e ka respektuar traditën dhe ka refuzuar që të marrë pjesë në inaugurimin e Bidenit.


Mar-a-Lago, rezidenca luksoze e Trumpit në Florida

Hera e fundit që një president amerikan kishte bërë këtë gjest të pahijshëm ishte viti i largët, 1868, kur Andrew Johnson kishte refuzuar të merrte pjesë në inaugurimin e presidentit të 18-të të ShBA-së, Ulysses S. Grant. Sidoqoftë, në inaugurimin e Bidenit do të marrë pjesë nënpresidenti në largim, Mike Pence, i cili kohëve të fundit është distancuar nga përpjekjet e Trumpit për të krijuar tollovi dhe për ta kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve.

Kur fillon ceremonia e inaugurimit të Bidenit?

Programi i inaugurimit pritet të fillojë pas orës 11 sipas kohës lokale (pas orës 17 sipas kohës në Kosovë dhe Evropë Qendrore). Lady Gaga, e cila ka bërë fushatë për Bidenin, do ta këndojë himnin kombëtar, ndërsa Amanda Gorman do të lexojë një poezi. Një performancë muzikore do ta ofrojë edhe këngëtarja Jennifer Lopez.

Pak minuta para mesditës sipas kohës lokale, nënpresidentja Kamala Harris do të betohet në detyrën e re, duke u bërë gruaja e parë nënpresidente dhe personi i parë me ngjyrë në këtë pozitë. Procedura do të udhëhiqet nga gjykatësja Sonia Sotomayor.


Nënpresidentja e zgjedhur e ShBA-së, Kamala Harris, është gruaja e parë që zgjidhet në këtë post.

Në mesditë, rreth orës 12 sipas kohës lokale (rreth orës 18 sipas kohës në Kosovë dhe Evropë Qendrore), në postin e presidentit do të betohet Joe Biden. Ai pritet ta vendosë dorën mbi një Bibël shumë të madhe që i përket familjes së tij, të botuar në vitin 1893. Procedura do të udhëhiqet nga kryegjykatësi i Gjykatës Supreme, John Roberts.

Pasi ta marrë zyrtarisht detyrën, Bideni do ta mbajë fjalimin e parë si president. Raportohet se ai ka qenë duke e përgatitur këtë fjalim që nga nëntori i vitit të kaluar. Sipas komitetit inaugurues, ai në fjalim do ta paraqesë pikëpamjen e tij për ta mposhtur pandeminë, për rimëkëmbje më të mirë dhe për unifikim të popullit.


Joe Biden duke u betuar në postin e nënpresidentit të ShBA-së, 20 janar 2009

 

Pas orës 14 sipas kohës lokale (pas orës 20 në Kosovë), presidenti i ri dhe nënpresidentja e re do ta zhvillojnë ceremoninë tradicionale të quajtur “Pass in review”, me ç’rast ata do të ecin në këmbë në pjesën lindore të ndërtesës së Capitol-it, ku do të nderohen nga secila degë e ushtrisë. Kjo ceremoni është simbol i transferimit paqësor të pushtetit te presidenti i ri, që njëkohësisht është komandant suprem i forcave të armatosura.

Ceremonia e radhës është vizita e presidentit të ri në varrezat kombëtare “Arlington”, ku prehen trupat e rreth 400.000 veteranëve të ushtrisë amerikane. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë edhe ish-presidentët Barack Obama, George Ë. Bush dhe Bill Clinton, bashkë me gratë e tyre, Michelle Obama, Laura Bush dhe Hillary Clinton.


Varrezat kombëtare “Arlington”, ku janë të varrosur qindra mijëra ushtarë

Më pas, Bideni do të udhëtojë drejt Shtëpisë së Bardhë. Për shkak të pandemisë, kësaj here nuk do të ketë turma njerëzisht që e përshëndesin presidentin gjatë udhëtimit, por në vend të kësaj do të organizohet një paradë virtuale, që do të transmetohet drejtpërdrejt në YouTube, Facebook dhe Twitter./The Guardian; Gazeta Express