Aktuale

Organizata botërore për mbrojtjen e natyrës letër Thaçit, Kurtit e Osmanit

Organizata botërore për mbrojtjen e natyrës WWF në Kosovë, së bashku me 14 organizata të shoqërisë civile, u dërguan një letër krerëve të institucioneve të Kosovës, presidentit, kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit.

Përmes një njoftimi në këtë letër thuhet se iu bëhet thirrje krerëve që të shtyjnë çdo vendimmarrje që për momentin nuk është e rëndësishme për shëndetin dhe sigurinë e njerëzve, e për të cilat vendimmarrje nuk mund të sigurohet transparenca kuptimplote dhe pjesëmarrja.

“Jemi të vetëdijshëm se institucionet përkatëse duhet të fillojnë të hartojnë masa lehtësimi dhe plane për të frenuar rënien e mundshme ekonomike pas pandemisë. Duke marrë parasysh këtë, po përçojmë disa rekomandime që do të na ndihmojnë të ecim përpara dhe të përshpejtojmë lëvizjen drejt një ekonomie e cila është neutrale ndaj klimës, mbron dhe rimëkëmb mjediset tona natyrore, shëndetin dhe mirëqenien, dhe nuk lejon që asgjë të shkojë në humbje – në mënyrë të drejtë dhe pa lënë askënd pas”, thuhet në këtë letër.

Transparenca e plotë dhe mirëqeverisja janë parësore në këto kohë, në mënyrë që të mos cenohen të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit dhe vendimmarrja demokratike në shoqërinë tonë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga WWF dhe organizatat bashkëpunëtore.

Organizatat e Shoqërisë Civile thonë se janë të vetëdijshme për kushtet ekstreme në të cilat qeveria po punon, megjithatë, ato i kërkojnë qeverisë që të shtyjë për më vonë çdo vendimmarrje e cila nuk lidhet në mënyrë të menjëhershme me shëndetin dhe sigurinë e njerëzve, e për të cilat vendime nuk mund të sigurohet një pjesëmarrje dhe transparencë e plotë në këtë moment.

the authorGazetaKNN