Aktuale

Osmani, Pantinës: Kurrë nuk vijë në Vetëvendosje, jeni brumi i njëjtë me PDK-në

Replika mes deputetëve të LDK-së dhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ka qenë shkak i një përplasje tjetër mes deputetëve të LDK-së dhe atyre të Vetëvendosjes.

Deputetja e VV-së, Shqipe Pantina tha se fjalimet e dy deputetëve të LDK-së, Vjosa Osmani e Lumir Abdixhiku, për një moment e bënë të mendojë sikur ata janë deputetë të Vetëvendosjes.

“Teksa po i dëgjoja për një moment mendova se kanë kaluar në Vetëvendosje, sepse flisnin sikur të ishin deputet të VV-së, po ashtu do të mendoja se LDK-ja paska ndryshuar, sepse po mundohen ta tregojnë fytyrën tjetër të LDK-së, por për një moment mu kujtua se shef i grupit parlamentar është Avdullah Hoti, i cili ka qenë ministër i Financave, e unë kam qenë anëtare e Komisionit për buxhet dhe financa dhe e di mirë qysh ministri dilte përjashta me Naser Osmanin e Safete Hadërgjonaj e merreshin vesh ne korridor për buxhet dhe e qonin dorën gjithë deputetët e LDK-së”, tha Pantina.

Reagoi deputetja e LDK-së Vjosa Osmani, e cila ia kujtoi deputetes Pantina, se sa ish deputetë të PDK-së dhe anëtarë të LPK-së, ka për rreth, prandaj kurrë nuk shkon në VV.

“Shqipe, po me vjen interesant sa shumë të paskan të dhimbtë replikat tona me PDK-në, vërtetë po e dëshmon katërcipërisht se jeni po ai brumi i njëjtë. Vetëm shiko sa ish deputetë të PDK-së ke për rreth, shiko, sa ish LPK-ist ke për rreth, dhe do ta marrësh përgjigjen pse unë e Lumiri, jo sot, po kurrë nuk do të vijmë në Vetëvendosje”, u shpreh Osmani.

Përplasja mes tyre vazhdoi edhe me tutje, ku deputetja Pantina theksoi se ata e dinë sa është e keqe PDK-ja, porse nuk e dinë nëse Vjosa e ka ditur kur kanë shkuar në koalicion me të.

“Se, PDK është e keqe e kemi ditë, edhe këta deputetët që dikur kanë qenë në PDK e kanë ditur, prandaj e kanë lënë PDK-në e kanë ardhur në VV. Nuk e di Vjosa partia jote a e ka ditur kur ka shkuar te PDK-ja ta bëjë qeverinë”, theksoi Pantina.

Ndaj deputetes Pantina, reagoi edhe deputeti Lumir Abdixhiku, i cili e ftoi atë të merret me problemin e buxhetit, por nëse dëshiron t’ia bëjë një shërbim PDK-së dhe të nisë luftën me ta, atëherë janë të gatshëm edhe për këtë.

“Vetëvendosjes nuk po i pengon këtu shkurtimi i buxhetit për shëndetësi, as listat për veteranët, të vetmin rast që e përmendet është kritika jonë që po ia bëjmë PDK-së për këtë punë. Edhe një herë po të ftoj mos u merr me këtë çështje, me LDK-në, sepse problemin e kemi këtu, këtu po flitet për rishikimin e buxhetit. Nëse doni t’i bëni shërbim PDK-së ta nisni betejën me LDK-në, edhe për atë punë këtu jemi”, u shpreh Abdixhiku.

Këtu nuk mbaruan përplasjet, pasi deputetja Pantina, tha se kur ata e kanë ftuar LDK-në të bëhen bashkë në luftën kundër PDK-së, ata kanë shkuar në koalicion me të.

“Respekti për LDK-në do të rritet atëherë kur Isa Mustafa nuk e drejton më atë. Ai i cili ka qenë bashkë me PDK-në, ka shkuar tek PDK-ja, e para. E dyta , nuk i paskit dëgjuar fjalimet e kolegëve folën gjithë për shëndetësi. Edhe për shëndetësi po them, ministri ka qenë i LDK-së, shikoni pak brenda, luftën tonë me PDK-në e kemi nisur moti, ju kemi thënë hajdeni me neve ta bëjmë luftën bashkë, ju atëherë keni shkuar të PDK-ja, tash nuk mundeni të shfajësoheni”, shtoi ajo.

Debati vazhdoi me diskutime tjera për projektligjin për plotësim ndryshimin e rishikimit të buxhetit, raporton KosovaPress.