Aktuale

OVL e UÇK-së paralajmëron protesta nëse ndalen pagesat për veteranët

C

Paralajmërimi i prokurorit të rastit të veteranëve të rrejshëm se do të bëhet kërkesë për pezullim të pagesave për 19 mijë veteranë deri në përfundim të procesit gjyqësor ka alarmuar Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilët kanë thënë se nëse një gjë e tillë hyn në fuqi do të shqyrtojnë mundësinë e organizimit të protestave.

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj është deklaruar se kjo kërkesë e prokurorit Enver Krasniqi është një gabim i madh.

“Unë mendoj që është gabim i madh që është duke u bërë sepse ai nuk mundet shabllon të bëjë ndalesë ndaj njerëzve. Duhet të ndodh verifikimi e jo të dënohen të gjithë veteranët ose përndryshe duhet të bëjnë pagesë retroaktive për të gjitha pagesat. Nëse merret përsipër që të bëhet pagesa retroaktive sepse dihen njerëzit që kanë dëshmi të forta për këtë rast”, deklaroi Haradinaj.

Sipas tij, nëse një gjë e tillë hyn në fuqi do të shqyrtojnë mundësinë e organizimit të protestave.

“Do të ballafaqohen me protesta shumë të ashpra nëse ndodh kjo. Deri të vërtetohet dënimi ata nuk janë fajtorë. Dënime kolektive gjykata nuk duhet të jap”, është shprehur për gazetën Express nënkryetari Haradinaj.

Ndryshe, prokurori special, Enver Krasniqi, ka paraqitur sot kërkesën e tij në seancën për veteranët që të pezullohet pagesa për 19 mijë veteranët deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Sipas tij, kjo duhet të bëhet me arsyen se “Si rezultati i veprës penale nga të pandehurit është dëmtuar buxheti i Kosovës dhe vazhdon të dëmtohet. Prandaj duke konsideruar buxhetin e Kosovës si interes publik, prokurori i shtetit ka autorizim të plotë ligjor për të kërkuar një gjë të tillë”, ka thënë Krasniqi,

“Përfitues nga buxheti i Kosovës janë personat e tretë dhe një situatë e tillë kur me veprime e të pandehurve si rezultat i veprave penale dhe kur përfitojnë personat e tretë përcaktohet rregulli për të dëmtuarin, që në rastin konkret kemi dëmtimin e Buxhetit të Kosovës. Andaj bazuar në këtë fakt se personat e tretë të paraqitur në aneksin 1 të kësaj aktakuze si pasojë e veprës penale të të pandehurve nga 2015 deri në gusht 2018 kanë përfituar më shumë mbi 88 milionë euro”, ka shtuar ndër të tjera Krasniqi.