Aktuale

Palmer: Dialogu Kosovë – Serbi duhet të rezultojë me njohje reciproke

Përfaqësuesi Special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, thotë se i takon Kosovës dhe Serbisë që të përshtatin parametrat mbi të cilët dialogojnë, kur është pyetur nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës përjashtojnë shkëmbimin e territoreve si zgjidhje, raporton euboserver.

“U takon palëve që të përcaktojnë parametrat e dialogut”, ka thënë Palmer për euobserver gjatë të hënës (17 shkurt në Bruksel), teksa është pyetur për planin e shumë diskutuar e kundërshtuar të korrigjimit të kufijve.

Palmer ka pohuar gjithashtu se Shtetet e Bashkuara e përkrahin Kosovën dhe Serbinë në gjetjen e një mënyre për rikthimin në dialog.

Ai e sheh dialogun si moment ku do të diskutoheshin të gjitha shqetësimet dhe do të gjendej një rrugë drejt normalizimit të raporteve, shkruan lajmi.net.

Sipas Palmer, dialogu duhet të përfundojë me njohjen reciproke të vendeve.

“Ajo çfarë ne mbështesim është që palët të gjejnë një mënyrë për t’u rikthyer në tavolinën e negociatave, duke i vendosur shqetësimet për të gjitha çështjet në tavolinë, dhe për të gjetur një shteg përpara drejt normalizimit të raporteve të tyre, që në mënyrë ideale do të kishte njohjen reciproke në qendër”, ka shtuar ndër të tjera Matthew Palmer.

“Në do të donim të shihnim njohjen reciproke në mes të Serbisë dhe Kosovës si rezultat të procesit”, ka potencuar ndër të tjera Palmer.

the authorGazetaKNN