Sport

Panairi i Sportit edhe në Gjakovë

Panairit të Sportit sot është mbajtur edhe në Gjakovë, me qëllim që të promovohet dhe masivizohet sporti në Kosovë.

Panairi i organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe i dedikohet fëmijëve dhe të rinjve.

Nënkryetari i Gjakovës, Armend Vokshi i inkurajoi të gjithë të rinjtë që të merren me sport, duke thënë se është shumë e rëndësishme që t’u jepet mundësia talenteve të reja që të zhvillohet sporti në Republikën e Kosovës.

“Duke qenë se ky panair dhe ky aktivitet kryesisht iu dedikohet fëmijëve dhe të rinjve, si dhe klubeve sportive, unë gjithashtu dua të inkurajoj të gjithë fëmijët dhe të rinjtë që të ndjekin sportin dhe të jenë sa më afër me sportin dhe të krijojnë mundësi që të kenë një zhvillim në sport. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që kampionet e ardhshëm të vendit tonë sot gjinden pikërisht këtu në mesin e këtyre fëmijëve”, u shpreh Vokshi.

Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhiaj, tha se në Kosovë ka dhjetëra talente të cilët në një të ardhme do të bëhen imazhi dhe krenaria e popullit tonë.

Ai morri si shembull Mjalinda Kelmendin e cila u rrit dhe u zhvillua në Kosovë dhe fal përkushtimit dhe punës saj të madhe arriti majat botërore në botën e sportit.

“Nëse deri dje jemi mburrur me yjet botëror, tani edhe Kosova e ka shembullin e krenarisë dhe sot ne nuk kemi nevojë të krenohemi me të tjerët, por pa dyshim ne krenohemi me sportistët tanë elitar siç është heroina jonë, medalistja e artë olimpike, Majlinda Kelmendi dhe shumë sportistë të tjerë. Edhe Majlinda po ashtu sikur ju është lindur në Kosovë, rritur dhe zhvilluar në Kosovë, edhe ajo ka filluar të merret me sport në këtë moshë, dhe falë punës dhe përkushtimit të Majlindës dhe trajnerit të saj Driton Kuka, ajo sot i ka kapur majat e sportit botëror, dhe ajo që ne po bëjmë sot është pikërisht kjo qe ne duam nga ju, që në një të ardhme të afërt ne të kemi dhjetëra e dhjetëra të rinj po ashtu si Majlinda që do të bëhen imazhi dhe krenaria e Kosovës dhe popullit tonë” tha ai.

Pjesëmarrësit dhe publiku kryesor ishin fëmijët të cilët kishin ardhur të shikonin performacën e sporteve të tyre të preferuara. Disa kishin ardhur të shikonin futboll, disa tenis, e disa të tjerë edhe volejboll.

Agim Haxhiu, kryetar i Klubit të çiklizmit të Gjakovës, tha se qëllimi me të cilin është filluar ky event është që fëmijët të jenë më afër sportit dhe më larg rrugëve të këqija.

Panairi u mbajt sot në komunën e Gjakovës dhe Gjilanit. Gjithashtu pritet të mbahet edhe në qytetet tjera kryesore të Republikës së Kosovës./kp/