Sport

Panucci: Nuk e patëm lehtë kundër Lihtenshtajnit

Trajneri i kombëtares kuqezi, Christian Panucci, ka pranuar sonte se Shqipëria kishte vështirësi në përballjen kundër Lihtenshtajnit dhe ka paralajmëruar se kundër Maqedonisë do të ketë ndryshime.

Ai pas takimit, të cilin kuqezinjtë e fituan 2:0, ka thënë se lojtarët u treguan seriozë dhe të përqendruar.

“Ne nuk e patëm të lehtë, sepse vuajtëm ta gjenim golin dhe kjo na tensionoi disi. Skuadra u tregua e zonja dhe jam i kënaqur për rezultatin. Morëm atë që deshëm. Kam dëshirë që skuadra të luajë mirë futboll dhe nuk më pëlqen loja me topa të gjatë”, është shprehur strategu italian.

Ai është zotuar se ndaj Maqedonisë do të ketë ndryshime, por nuk ka dhënë detaje.

“Nuk kam dëshirë të luaj në atë formë. Kundër Maqedonisë do të ndryshojë diçka. Të shohim se çfarë do të ndryshojmë, por tani duhet të shijojmë këtë fitore”, ka thënë Panucci.