Në tetor është paralajmëruar funksionalizimi i gjykatave në veri të Kosovës.
Procesi që rrjedh nga marrëveshja e Brukselit ndërmjet Kosovës e Serbisë, tashmë është vonuar, por kryesuesi i KGJK-së ka thënë se përgatitjet për të po vazhdojnë.
Nehat Idrizi është takuar me ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, me të cilën ka folur ndër të tjera edhe për këtë proces.
Pas takimit që është thënë se është njoftues për ministren e re, Hoxha ka premtuar përkushtim në forcim të sundimit të ligjit, raporton KTV .
E pyetur për ndryshimet e paralajmëruara në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale, ministrja Hoxha ka thënë se do të bëhet një rishikim i vështirësive në zbatim të disa dispozitave e pastaj do të propozohen ndryshimet, pa dhënë detaje se cilat konkretisht do të jenë ato.
Ndryshim të Kodit Penal është duke kërkuar edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, që nga zgjedhja e tij në këtë post.