Aktuale

Parashikimi i radhës për fituesin e zgjedhjeve

Analisti politik, Faik Krasniqi në një prononcim për GazetaBlic ka thënë se koalicionet e natës duhet t`i bindin votuesit më skeptik se nuk mund t`u besohet më partive kosovarë.

“Koalicionet e natës duhet të bindin edhe votuesin më skeptik se nuk mund t’u besohet më partive kosovare dhe lidershipit aktual, në deklaratat e tyre për vija të kuqe, dhe çfarë do tjetër që deklarojnë në kritikat për keqqeverisje, korrupsion, skandale etj” tha Krasniqi.

Krasniqi thotë se edhe armiqtë më të flakët bëhen bashkë në fund, raporton GazetaBlic.

“Edhe armiqtë më të flaktë, pra, bëhen bashkë në fund, në një listë zgjedhore, nga e majta ekstreme te të djathtit radikalë, fetarë e ateistë, karrieristë dhe të pandershëm, në telashe me drejtësinë apo me afera mbi supe, biznesmenë e oligarkë, profesorë e të padijshëm, injorantë e militantë. Edhe pse liderët kur dalin në konferenca shtypi fjalinë e parë e kanë “e bëmë këtë për qytetarët tanë” vazhdoi tutje Krasniqi.

Ndonëse janë krijuar dy blloqe të mëdha, pa gjasa për të fituar nuk është as Vetëvendosje!, sipas Krasniqit.

“Janë krijuar dy blloqe të mëdha, i “krahut të luftës” dhe “krahut të pacifistëve” që edhe njëra edhe tjetra palë kanë gjasa të dalin fituese në zgjedhjet e 11 qershorit, por pa gjasa nuk është as VV edhe pse do ta ketë vështirë që ti fitojë zgjedhjet pa koalicion. Mirëpo pas zgjedhjeve mund të jetë përcaktuese në formimin e qeverisë, sepse asnjëra palë nuk do të arrijë të fitojë shumicën për të qeverisur e vetme” tha Krasniqi.

Ai gjithashtu tha se nëse fiton LDK,AKR dhe Alternativa, VV me gjasë do t`i bashkohet këtij koalicioni.

“Nëse LDK, AKR dhe Alternativa i fitojnë zgjedhjet, atëherë VV me shumë gjasë do ti bashkohet këtij koalicioni për krijimin e qeverisë. Por nëse koalicioni i “krahut të luftës” del fitues dhe nuk arrin të marrë përqindje të mjaftueshme për të krijuar Qeverinë, atëherë do të bëhen pazare të mëdha për transferimin e deputetëve nga partitë e tjera” përfundoi Krasniqi.

Zgjedhjet do të mbahen me 11 qershor të këtij viti raporton GazetaBlic.com.