Aktuale

Partia e Ivanoviqt ankohet se nuk ka informacione të reja për vrasjen e tij

Partia e Oliver Ivanoviqit, “Lira, Demokracia, Drejtësia”, është duke u ankuar se nuk ka asnjë informatë rreth hetimeve që janë duke u zhvilluar për vrasjen e tij.
Kështu ka thënë zëvendëskryetarja e partisë së Ivanoviqit, Ksenija Bozhoviq, e cila shtoi se qysh në ditën e vrasjes është krijuar një ekip i veçantë për hetim të këtij rasti, por se e vetmja përgjigje deri më tani është se “hetimet po vazhdojnë”.

“Në vend të përgjigjes e informatave konkrete se deri ku kanë shkuar me hetimet, sekretarja dhe unë para dy ditësh jemi marrë në pyetje si dëshmitarë për më shumë se dy orë. Në pyetjet tona që të na tregojnë se çfarë është bërë e çfarë është zbuluar deri më tani, si dhe sa dëshmitarë janë marrë në pyetje deri më tani, na është thënë që të mos i pengojmë hetimet dhe se janë duke punuar shumë në këtë drejtim”, ka thënë Bozhoviq për të përditshmen serbe “Novosti”, transmeton Koha.net, ndërsa ka shtuar se do të vazhdojë presionin ditor ndaj policisë së Kosovës dhe gjykatave.

Ajo veçanërisht thekson se është e pakuptueshme ajo që askush nga bashkësia ndërkombëtare deri më tani nuk e ka trajtuar këtë rast.

“Përse heshtin KFOR-i e EULEX-i, përse hesht Ambasada Amerikane për deklaratën e lëshuar para vrasjes. E njëjta erdhi këto ditë edhe nga Ambasada Gjermane dhe për këtë arsye insistojmë që sa më parë të informohet populli se nga kush kërcënohet, çfarë janë kërcënimet dhe çfarë rreziku i kanoset”, tha ajo.

Ndërkaq, për mediat vendore, Prokuroria e Shtetit ka thënë se kurdo që ka të reja rreth vrasjes së Ivanoviqit, opinioni do të njoftohet me kohë.