Ekonomi

Pas MSA-së, duhet certifikimi i produkteve kosovare

Prodhuesit do të mund të përfitojnë nga ekspertiza për arritjen e standardeve evropiane të cilësisë dhe certifikimin e produkteve të tyre, shkruan sot Koha Ditore.

Certifikimi i tyre shihet si hap i domosdoshëm që produktet kosovare të mund të eksportohen në vendet e BE-së, pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim.

Këtë e ka thënë ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Hykmete Bajrami, në tryezën e organizuar nga programi “Fuqizimi i sektorit privat” i USAID-it, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe Bashkëpunimi Zhvillimor Zviceran për nisjen e mbështetjes së prodhuesve kosovarë në sigurimin e certifikimeve formale të kualitetit dhe sigurisë që janë të domosdoshme për të eksportuar në BE.

Ministrja Bajrami ka thënë se disa produkte tashmë janë duke u eksportuar në vendet e BE-së, mirëpo janë shumë prodhues të tjerë që do të përfitojnë nga ky program.