Rajon & Botë

Pas rekordit të rasteve me Covid-19, mbyllen shkollat në një pjesë të Italisë

 

Rajoni jugor italian, Campania, ka vendosur t’i mbyll shkollat më pak se një muaj pas rihapjes për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të rasteve të koronavirusit.

Autoritetet thanë se shkollat do të qëndrojnë të mbyllura deri në fund të tetorit. Për një ditë, në këtë rajon u regjistruan 1.127 raste të reja të personave të infektuar, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Ky vendim ka krijuar tensione mes autoriteteve rajonale dhe qeverisë qendrore. Ministrja e Arsimit, Lucia Azzolina, ka thënë se rritja e numrit të rasteve nuk ka ndodhur për shkak të procesit mësimor në shkolla.

“Nëse nuk dëshirojmë ta sakrifikojmë arsimin, duhet ta promovojmë më shumë punën nga shtëpia. Nuk janë vetëm nxënësit që i shfrytëzojnë autobusët në mëngjes. Lënia e nxënësve në shtëpi është e papranueshme”, tha ajo.

Ndaj vendimit të autoriteteve të rajonit jugor reagoi edhe kryeministri italian, Giuseppe Conte, i cili tha se mbyllja e shkollave nuk është opsioni më i mirë.

Shqetësimi nga përhapja e virusit në Campania është i madh për shkak të dendësisë së madhe të popullsisë dhe spitaleve që kanë më pak pajisje në krahasim me pjesën veriore të vendit.

Ky rajon e kishte shpallur veten si të çliruar nga sëmundja Covid-19 në qershor para se numri i infeksioneve të fillonte të rritej nga mesi i gushtit.

Italia i regjistroi 8.804 raste të reja të enjten, që është shifra më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë. Gjatë valës së parë të koronavirusit, Italia ishte vendi më i prekur në Evropë.

the authorGazetaKNN