Rajon & Botë

Pas rritjes së rasteve, Franca merr masa shtesë

Klubet e natës në Francë do të urdhërohen për t’u mbyllur për katër javë nga e premtja për ta luftuar rritjen e numrit të rasteve me koronavirus, që e ka shtuar trysninë ndaj spitaleve, tha të hënën kryeministri francez.

“Do t’i mbyllim klubet e natës për katër javë. Kjo masë do të vlejë nga e premtja e ardhshme deri në fillimin e janarit”, tha Jean Castex, i cili doli nga karantina javën e kaluar, pasi ishte infektuar me koronavirus.

“Të gjithë kemi pasur prirje për të qenë më të shkujdesur në javët e fundit. Gjendja kërkon përpjekje individuale dhe kolektive”, shtoi kryeministri francez.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Shëndetësisë, një varg masash të reja do të futen në fuqi, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta Express.

Franca ka konfirmuar vetëm 25 raste me variantin Omicron, por zyrtarët thonë se numri mund të rritet në masë të konsiderueshme në javët e ardhshme.

Të dielën, Ministria e Shëndetësisë raportoi mbi 42.000 raste të reja me Covid-19 dhe mbi 11.000 pacientë në spitale – që është shifra më e lartë nga gushti. Prej tyre, 2.000 janë në repartet për kujdes intensiv.