Rajon & Botë

Pas shtimit të rasteve, Holanda shtrëngon masat kundër pandemisë

Ndonëse kryeministri holandez, Mark Rutte, fillimisht kishte thënë se është skeptik për përfitimet që sjell përdorimi i maskës, atij tashmë nuk i ka mbetur zgjidhje tjetër pos t’i shtrëngojë masat pasi vendi i tij po futet në valën e dytë të infeksioneve.

Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, njerëzit në Amsterdam, Hagë, Eindhoven dhe Rotterdam po këshillohen që të vendosin maska në dyqane, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Restorantet dhe baret në mbarë vendin duhet të mbyllen në orën 22, ndërsa tifozët nuk do të kenë të drejtë të shkojnë në stadiume dhe palestra. Bizneset si sallonet e floktarëve dhe dentistët duhet t’i marrin të dhënat kontaktuese të klientëve. Njerëzit janë këshilluar të punojnë nga shtëpia dhe të qëndrojnë brenda, nëse kanë simptoma të koronavirusit.

Këtë javë Holanda e theu rekordin ditor të infektimeve dhe pritet që të regjistrojë nga 5,000 raste në ditë javën e ardhshme. Numri i personave të pranuar në spitale është rritur për të 26-n ditë me radhë.

Një ditë më parë, ministri holandez i Shëndetësisë, Hugo de Jong, tha: “Jemi duke e bërë më të mirën tonë, por virusi po ia del më mirë”.