Aktuale

Pasojat e krijimit të Mini-Shengenit për Kosovën

Sot dhe nesër në Tiranë, me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës, do të zhvillohet takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku do të diskutohet për idenë e krijimit të Mini-Shengenit Ballkanik. Derisa autoritetet kosovare e kanë refuzuar pjesëmarrjen, gjasat janë minimale që Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina të marrin pjesë në këtë iniciativë.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për tentativat për krijimin e një Mini-Shengeni Ballkanik, ka thënë për “Zërin” se meqë të gjitha shtetet e kësaj zone janë të pavarura, ato si të tilla kanë të drejtë të marrin pjesë në çfarëdo iniciative që u ofrohet.

“Shqipëria ka politikën e vet dhe ka strategjinë e saj, njësoj si të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, që kanë politika të veçanta të jashtme. Mini-Shengeni është iniciativë e tri shteteve me mundësi zgjerimi edhe me shtete tjera. Këto shtete kanë marrëdhënie bilaterale dhe trelaterale dhe vendet e tjera mund të marrin ose jo pjesë në këso iniciative, kjo u takon atyre. Se çfarë marrëveshje bëjnë këto shtete përcaktohet nga vetë ato”.

Kësisoj ai e ka arsyetuar vendimin e autoriteteve kosovare për të mos marrë pjesë në këtë iniciativë, për shkak të qëndrimit që shteti serb ka kundrejt Kosovës dhe pavarësisë së saj.

“Kosova me të drejtë e kundërshton pjesëmarrjen dhe i ka argumentet e saj, sepse pa kërkuar falje Serbia për krimet e bëra në Kosovë dhe pa i pranuar ato krime shteti ynë nuk duhet të marrë pjesë. Ajo që është me rëndësi është se Kosova është shtet i pavarur, ashtu siç është Serbia dhe Shqipëria dhe marrëdhëniet bilaterale të dy shteteve nuk ndikojnë te shtetet e treta, sepse nuk ka marrëveshje për shtetin e tretë. Personalisht nuk jam kundër iniciativave që rritin bashkëpunimin rajonal”, është shprehur më tutje Tahiri.

the authorGazetaKNN