Rajon & Botë

Paul Ryan mbështet Donald Trumpin për president

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Paul Ryan, i cili është njëkohësisht edhe republikani me postin më të lartë aktualisht në Shtetet e Bashkuara, ka konfirmuar të enjten se do të votojë për kandidatin republikan për president të SHBA’së, Donald Trump.

Në një opinion të botuar në “The Janesville Gazette”, gazetë e vendlindjes së tij, Ryan argumenton se Trump “do të ndihmonte në kthimin e agjendës së republikanëve të Dhomës në ligje”.

Ryan shkruan se nëse Shtëpia e Bardhë do të udhëhiqej nga kandidatja demokrate Hillary Clinton, kjo “do të thotë favorizim edhe për 4 vite të tjera të miqve liberalë dhe një qeveri që do të shërbente më shumë për vetveten, sesa për popullin”.

Trump, shkruan Ryan, do të ishte një aleat më i përshtatshëm.

“Nuk është sekret tashmë që ai dhe unë kemi dallime. Nuk mund të pretendoj të kundërtën. Dhe kur ta shoh të nevojshme, unë do të vazhdoj të flas sipas asaj që mendoj unë”, shkruan Ryan, transmeton tch. “Por, realiteti është se, për çështje që përbëjnë edhe axhendën tonë, ne kemi më shumë gjëra të përbashkëta sesa mosmarrëveshje”.

Leave a Reply