Aktuale

PDK bën kallëzim penal për punësime të kundërligjshme në Prishtinë

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë, ka dërguar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës kundër kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ish sekretarit të VV-së, Dardan Molliqaj dhe disa drejtorëve komunal për punësimin e rreth 500 militantëve të Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës.

Sekretari i PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli tha se kanë filluar një fazë të re të veprimit të tyre politik. Sipas tij, ky është vetëm kallëzimi i parë penal, derisa mund të shkojë deri në 72 kallëzime penale.

Cakolli theksoi se krahas kallëzimeve penale, ata do të vazhdojnë publikimin e fakteve për keqpërdorimet në komunën e Prishtinës.

“Sot ne bëmë një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës kundër punësimeve të militantëve të Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, pra rreth 500 militantëve të Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës. Në javët në vazhdim do të vazhdojmë me kallëzimet tjera penale për keqpërdorime dhe abuzimet tjera që ka bërë kryetari i komunës dhe kjo klikë qeverisëse në komunën e Prishtinës. Po ashtu, krahas kallëzimeve penale në të njëjtën kohë do të vazhdojmë me denoncimin e abuzimeve, keqpërdorimeve dhe shkeljeve të shumta që kanë ndodhur në komunën e Prishtinës gjatë kësaj kohe”, tha Cakolli.

Avokati i autorizuar nga PDK-ja, Skënder Musa, theksoi se në bazë të provave të deponuara sot në Prokurorinë Speciale të Kosovës, shihet qartë se janë punësuar rreth 500 persona pa konkurs në komunën e Prishtinës.

“Në bazë të autorizimit që më ka dhënë PDK-ja, provave që ata i kanë siguruar dhe raporteve të auditimit, sot PDK ka dorëzuar kallëzim penal kundër kryetarit të kuvendit komunal, ish sekretarit organizativ të Vetëvendosjes Dardan Molliqaj dhe disa drejtorëve të komunës së Prishtinës, për veprën penale krim i organizuar, veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe veprën penale mohim i punësimit në bazë të konkursit publik. Në bazë të provave që sot kemi deponuar në PSK shihet qartë se kemi të bëjmë me punësimin e 486 personave pa konkurs publik dhe e gjithë kjo ka shkuar e dirigjuar nga ish sekretari organizativ të Vetëvendosjes dhe të kryera përmes kryetarit të kuvendit komunal. Me këtë iu ka pamundësuar qytetarëve tjerë që të konkurrojnë në konkurse publike për punësim në komunën e Prishtinës”, theksoi Musa.

I pyetur nëse presin rezultate nga këto kallëzime penale, Cakolli tha se detyrë e tyre është të bëjnë kallëzimet penale në organet gjegjëse, porse shpreh besimin e tij se Prokuroria Speciale do ta kryejnë punën ashtu siç duhet./KP/