Aktuale

PDK gati për zgjedhje, Veseli beson në fitore

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi takime me kryesitë e degëve të PDK-së të Vushtrrisë e Gjakovës, me ç’rast ka theksuar rëndësinë e procesit dhe mobilizimin e gjithanshëm për zgjedhjet nacionale, duke potencuar optimizmin e anëtarësisë së gjerë dhe strukturave të partisë.

Veseli ka potencuar se PDK, nëpërmjet procesit të brendshëm zgjedhor ka përzgjedhur organet e degëve dhe organet tjera të partisë, duke u fuqizuar më tutje për sfidat politike me të cilat po përballet vendi. Ai po ashtu, ritheksoi se PDK është e gatshme për zgjedhjet nacionale, si dhe do të ofrojë platformën më të mirë politike për qytetarët.

“Ne jemi gati për zgjedhje, ashtu siç është vizioni ynë, i prezantuar në procesin e brendshëm zgjedhor, Dekada e Re, për t’u përgjigjur ndaj sfidave të zhvillimit, procesit integrues dhe të ardhmes së të rinjve tanë këtu”, theksoi Veseli.

Veseli potencoi po ashtu se PDK si çdoherë është e gatshme të shtyjë tutje suksesshëm agjendat zhvillimore të vendit dhe agjendat integruese duke ofruar program dhe qeverisje shembullore, konform vlerave që synon vendi ynë.

“Ne kemi ofruar zgjidhje për çështjet më madhore dhe më sfiduese për vendin tonë, me oferta dhe vendimet më të mira, duke kontribuar në të gjitha proceset që vendin tonë e bëjnë shtet me institucione demokratike dhe perspektivë euro-atlantike. Por, ne jemi gati që të marrim përgjegjësi për ta rritur ekonominë, si dhe vendin ta integrojmë në familjen e madhe evropiane”, theksoi ai. /Lajmi.net/

the authorBurbuqe Metolli