Aktuale

PDK i përgjigjet Haradinajt: Kryeministër mos u frikëso nga rrëzimi

Nënkryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se Ramush Haradinaj s’bën të frikësohet nga rrëzimi prej pozitës së Kryeministrit.
Reagimi i njeriut të dytë të PDK’së ka ardhur pasi Kryeministri Haradinaj, një natë më parë, tha se nëse rrëzohet bashkë me te do të shkojnë në shtëpi edhe Kadri Veseli e Hashim Thaçi.

Memli Krasniqi ka thënë të mos e ketë dëgjuar e lexuar deklaratën e Haradinajt, e cila është publikuar në televizione, gazeta e portale.

“Nuk e kam dëgjuar deklaratën e z. Haradinaj, por besoj se Kryeminstri nuk duhet të ketë asnjë frikë nga rrëzimi prej pozitës se tij”, ka thënë Krasniqi.

Të premten mbrëma, Haradinaj në KTV ka thënë se është i gatshëm ta rrëzojë Qeverinë, por me vete do t’i marrë edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe ish-bashkëpunëtorin e ngushtë të presidentit, Kadri Veselin.

“Po shkojmë të gjithë në paket, po shkojmë edhe unë edhe kryeparlamentari edhe presidenti, edhe po e çlirojmë Kosovën”, kishte thënë Haradinaj.

Kryetari i AAK’së ka nisur një betejë me ish-Kryetarin e PDK’së, Hashim Thaçin lidhur me marrëveshjen finale me Serbinë. Kryeministri ka kundërshtuar idenë e Presidentit për ndryshim e korrigjim kufijsh.

Madje Haradinaj ditë më parë kishte deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, po dëshiron t’ia rrëzojë qeverinë përmes ‘Listës Srspka’ dhe partnerëve të tij në Kosovë (nuk dihet nëse ka aluduar në Thaçin), shkaku që nuk po e përkrah idenë për ndarje prekje të kufijve të Kosovës.

Shefi i Qeverisë së fundmi ka marrë një vendim për t’i vënë taksë 100 për qind produkteve serbe. Presidenti ka dalë edhe kundër këtij vendimi.

Pas vendimit për taksën, katër kryetarë të komunave veriore, kanë dhënë dorëheqje.

Ndërkohë, në PDK thonë se Ramush Haradinaj duhet të ketë plan të qartë për taksën dhe për çështje tjera.

“PDK i ka dhënë mbështetjen e plotë Kryeministrit që nga fillimi dhe këtë mbështetje vazhdon ta ketë. Edhe për çështjen e taksës ne e mbështesim, sepse besojmë se ai ka plan të qartë për këtë dhe çështjet e tjera”, ka shtuar Krasniqi.

Shefi i deputetëve të PDK’së i ka dhënë leksione Kyetarit të AAK’së, duke i thënë se s’bën të bie pre e spekulimeve. Megjithëse, s’ka sqaruar se në cilat spekulime ka rënë Shefi i Qeverisë.

“Spekulimet dashakeqe nuk duhet të ndikojnë në punën e rëndësishme të cilitdo bartës institucional”, ka deklaruar Memli Krasniqi.

Aktualisht, Qeveria e Kosovës nuk e ka shumicën në Parlament pasi deputetët e Listës Sprksa kanë vendosur të japin votën pro rrëzimit të Ramush Haradinajt.

Në fakt, votat e Srpskas kanë qenë vendimtare kur koalicioni PAN kishte votuar Ramush Haradinajn për Kryeministër. Më 9 shtator të vitit të kaluar Haradinaj kishte marrë vetëm 61 vota për prej të cilave 10 ishin të serbëve./GazetaExpress/

the authorBurbuqe Metolli