Aktuale

Për dy ditë konfiskohen mbi 160 kilogramë drogë

Policia e Kosovës, në tri raste të ndara gjatë kësaj jave kanë konfiskuar 160 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media u tha se përveç rastit që ka ndodhur më 28 mars ku janë konfiskuar 65 kilogramë marihuanë policia dje janë zhvilluar dy operacione të quajtur “Bari” dhe “Rikthimi”.

Bajram Nuhiu nga sektori për Narkotikë tha se dje në operacionin e zhvilluar në Prishtinë janë gjetur 57 kilogramë e 69 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë.

“Njësia për hetimin e trafikimit me narkotikë në kuadër të drejtorisë së përgjithsme për hetimin e trafikimit narkotik nga rajoni I Gjilanit dhe rajoni I Prishtinës, kanë zhvilluar një operacion në Prishtinë. Gjatë këtij operacioni janë konfiskuar 57 kg e 69 gram, substancë narkotike e llojit marihuanë dhe është arrestuar një person. Gjatë këtij operacioni është kontrolluar një shtëpi dhe në atë shtëpi është gjetur substance të cilën e përmendëm”, tha ai.

Nuhiu po ashtu tha se në operacionin tjetër të realizuar në pikëkalimin Kosovë-Serbi është ndaluar një automjet transportues në të cilin janë gjendur lëndë narkotike.

“Dyshohet se grupe të organizuara kriminale , të ndërlidhura, Kosovë-Serbi, kanë pasur qëllim që automjetin transportues ta dërgon deri në pikën kufitare dhe nga aty grupet kriminale të Serbisë ta marrin atë automjet dhe ta përcjellin ne vendet e Bashkimit Evropian. Gjatë kontrollit të këtij automjeti transportues janë gjetur 31 kilogramë e 600 gram substancë narkotike e llojit marihuanë dhe është arrestuar një person”, tha Nuhiu.

Sipas tij në vazhdim të operacionit janë bastisur tri lokacione tjera me ç’rast janë gjetur: tri revole, 79 fishekë të kalibrave të ndryshëm, para në vlerë prej rreth 19 mijë Euro dhe është arrestuar edhe personi me inicialet M.R. i lindur më 1968 si i dyshuar për bashkëkryerje të veprës penale.

Lidhur me këtë rast në kërkim janë edhe dy persona tjerë të dyshuar, ndërsa janë sekuestruar automjeti transportues dhe tri vetura.

Në këtë konferencë, zëdhënësi i Policisë Daut Hoxha tha se gjatë kësaj jave janë konfiskuar gjithsej 160 kilogramë substanca narkotike.

“Në luftën kundër korrupsionit, Policia e Kosovës gjatë kësaj jave ka arrestuar 34 persona të dyshuar, ka konfiskuar 160 kilogramë g substanca të dyshuara narkotike, para te gatshme, armë, automjete transportuese dhe pajisje tjera”, tha Hoxha.

Bajram Nuhiu tha se këto aksione të Policisë financohen nga Bashkimi Evropian dhe gjithashtu ka një përkrahje të madhe të tyre./