Aktuale

Për një ditë, gjashtë raste të përdorimit të substancave narkotike

Rastet e përdorimit të substancave narkotike janë të shumta në Kosovë.

Për çdo ditë raportohet për posedim të substancave narkotike në sasi të ndryshme.

Shqetësuese mbetet përdorimi në masë të madhe nga mosha e mitur.

Vetëm në raportin 24-orësh të Policisë janë identifikuar gjashtë raste të përdorimit të këtyre substancave.

Njëri rast është në kampusin universitar në Prishtinë, ku Policia gjatë kontrollit në trup i ka gjetur dhe konfiskuar 1.4 gram substancë marihuanë të dyshuarit. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti tjetër është tek Kalaja e Harilaqit, në Fushë Kosovë.

Policia ka arrestuar një person, pasi që gjatë verifikimit dhe kontrollit nën ulësen e shoferit në automjetin e tij i është gjetur dhe i është konfiskuar një sasi e vogël me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, në peshë 1.50 gr. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Një rast tjetër është në sheshin e Gjilanit dje rreth orës 17 e 40. Policia ka ndaluar një person të moshës së mitur, pasi që gjatë verifikimit dhe kontrollit në trupin e tij i janë gjetur dhe konfiskuar një sasi e vogël me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë, në peshë 6.4 gr. I dyshuari pas intervistimit në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës me vendim të prokurorit, dërgohet për 24 orë në qendrën e mbajtjes.

Edhe në Suharekë, Policia ka konfiskuar substancë narkotike. Zyrtarët policor kanë ndaluar një automjet me tabela shqiptare, me vozitës të dyshuarin, tek i cili gjatë verifikimit dhe kontrollit në automjetin e tij i është gjetur dhe konfiskuar një sasi substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, në peshë 4.06 gr. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Kurse, në Pejë, Policia për substancë narkotike, ka dërguar të dyshuarin në qendrën e mbajtjes.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, tek i cili gjatë verifikimit dhe kontrollit në trup i është gjetur dhe i është konfiskuar një qese e vogël me substancë të dyshuar narkotike. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit dërgohet në qendrën e mbajtjes”, thuhet në raportin e Policisë.

Ndërsa, në pikën kufitare të Vermicës, Policia ka arritur të konfiskoj 3.73 gram të llojit marihuanë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi që gjate verifikimit dhe kontrollimit i është gjetur dhe konfiskuar 3.73 gr. substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit lirohet, rasti në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.