Aktuale

Për projektin ‘Lugina e Diellit’, Kryeministrit i dalin kundër edhe Ministrat Agani e Maric

Deklarimet e Kryeministrit Isa Mustafa se serbet nuk kanë të drejtë ta ndërtojnë lagjen ‘Lugina e Diellit’ pasi nuk posedojnë leje nga autoritetet kosovare po shpërfillen nga vartësit e tij, Ministri shqiptar i Mjedisit Ferid Agani dhe nga ai serb i Pushtetit Lokal, Ljubomir Maric. 

Dy ministrat e Qeverisë Mustafa janë takuar të mërkurën për tu dakorduar për mbështetjen e projektit për ndërtimin e lagjes së re për serbet e Veriut, shkruan Gazeta Express.

“Мë 14 Qershor 2016 në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimt Hapësinor është mbajtur mbledhja lidhur me mbështetjen e projektit për ndërtimin e vendbanimit Lugina e Diellit. Në mbledhje kanë marrë pjesë Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor Ferid Agani, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal,  Ljubomir Maric, Kryetari i Komunës së Zvecanit, Vucina Jankovic si dhe Zëvendës Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Sladan Nikolcevic”, thuhet në njoftimin e MAPL’së.

Ministri Maric, thuhet në njoftim, ka deklaruar se ky vendbanim ka rëndësi të madhe për zgjidhjen e problemeve për kthim të qëndrueshëm dhe ka thënë se ministritë e linjes në përputhje me përgjegjësitë e tyre duhet të ndihmojnë në realizimin e këtij projekti.

“Gjithashtu u konfirmua se është përgjegjësi  eksluzive e pushtetit lokal të marrë të gjitha vendimet sa i përket zhvillimit të planeve dhe lejeve për ndërtim lidhur me këtë projekt dhe ky proces duhet të realizohet sa më shpejt”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, shefi i të dy ministrave, Kryeministri Isa Mustafa, javën e kaluar, tha se se serbët e kthyer në Kosovë, nuk kanë leje që të ndërtojnë lagjen “Lugina e Diellit” në veri të Kosovës.

“Ata nuk kanë të drejtë për ndërtimin e lagjes ‘Lugina e Diellit’. Është e palejueshme dhe nuk ka asnjë vlerë përderisa institucionet nuk kanë dhënë leje”, pati thënë Mustafa. /GazetaExpress/.