Aktuale

Përgjimet “Pronto” ishin bërë gjatë hetimeve për Fatmir Limajn dhe të tjerët

Rrjedhja e fundit e përgjimeve telefonike të kryera me urdhër të Gjykatës, nuk ndodhë për herë të parë në Kosovë, raporton lajmi.net. Në fakt, përgjime të tilla të ngjashme kanë dalë në opinion edhe para katër  vjetësh (2012)  në rastin që njihej si afera ‘Pronto’.

Edhe këto të fundit, sipas deklaratës së dhënë tre ditë më parë nga Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, janë nga i njëjti material.

Ato përgjime ishin kryer me kërkesë të prokurorit të EULEX-it dhe me urdhër të Gjykatës, në tentim për t’i shërbyer dyshimeve të përpiluara në aktakuzë ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve, në rastin e Ministrisë së Transportit.

Derisa ky rast ka vazhduar në mënyra të ndryshme, herë duke u bërë bashkë rastet MTPT1 e 2,  e herë duke u ndarë, herë duke vazhduar procesi gjyqësore e herë duke u ndërprerë, përgjimet telefonike ishin kryer meqë në kohën kur Limaj ishte ministër i Transportit, Grabovci ishte zëvendës i tij.

Para katër  vjetësh, kur në publik rrodhën një pjesë e përgjimeve të Grabovcit në biseda telefonike me ish kryeministrin Thaçi, kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku e ish ministren për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, Misioni i EULEX-it kishte konfirmuar se ai material ishte në duart të prokurorit, raporton lajmi.net.

Zyra për Informim e EULEX-it pati lëshuar një deklaratë lë lidhje me çështjet e përgjimeve, sipas të cilit, përgjimet mga EULEX-i u kryen gjatë hetimeve në rastin e Ministrisë së Transportit.

“Prokurori i EULEX-it nga Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) ngriti një padi në rastin e Ministrisë së Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit më 16 nëntor 2012. Së bashku me padinë, të gjitha provat e mbledhura u dorëzuan gjatë hetimit, siç kërkohet nga ligji i zbatueshëm”.

“Gjykata dhe avokatët mbrojtës të të pandehurve kanë marrë nga një kopje të materialit të njëjtë”, shkruante në deklaratën e EULEX-it, të publikuar katër  vjet më parë.

Sipas EULEX-it, dosja e çështjes përfshinte përgjimet telefonike, duke përfshirë edhe ato audio të cilat përfunduan në publik, raporton lajmi.net.

“PSRK është duke kërkuar të vendosë nëse në këtë çështje është kryer ndonjë vepër penale nga ata që shkresat e lëndës ia plasuan publikut, dhe nëse duhet të nisë ndonjë hetim”, thuhet më tej në deklaratë.

Misioni i EULEX-it përmes deklaratës kishte shprehur keqardhjen për faktin se përgjimet përfunduan me publikimin e tyre.

Në lidhje me publikimin  këtyre materialeve kishin nisur hetimet ngase shkresat e lëndës, përfshirë edhe incizimet,  i kishin shumë persona. Ato i kishin të akuzuarit, avokatët e tyre e  prokurori, raporton lajmi.net.

Madje edhe disa nga avokatët mbrojtës si Bajram Tmava, kishte mohuar se ai ia ka dhënë dikujt këto materiale, por në të njëjtën kohë e kishte akuzuar EULEX-in për neglizhencë.

Sipas avokat Tmavës, EULEX-i kishte shpërndarë materialet, por nuk kishte vendosur ndonjë shenjë të veçantë se materiali është i ndjeshëm.

Kështu, më 6 dhjetor 2012, avokati mbrojtës i Limajt, Bajram Tmava, kishte bërë të ditur se materiali i publikuar i përgjimeve ku protagonisti kryesor ishte shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, nuk ka pasur asnjë shenjë konfidencialiteti nga EULEX-i.

Palës mbrojtëse, materiali i përgjimeve i është dhënë nga Gjykata me rastin e shpalljes së aktakuzës për Ministrinë e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit (MTPT).

Tmava kishte thënë se  EULEX ka bërë shkelje me rastin e përgjimit të Adem Grabovcit, nëse ky i fundit nuk ka qenë nën hetime.

“Nuk është guxuar që tu jepen palëve përgjimet telefonike, për palët që nuk janë të përfshirë në aktakuzë siç është, Grabovci”, kishte thënë avokati Tmava.

Ai kishte bërë të ditur se 31 CD i kanë marrë nga Gjykata me rastin e aktakuzës që është bërë me rastin e MTPT-së.

Më pas ai ishte shprehur se  nuk beson se avokatët mbrojtës të kësaj lënde, të kenë bërë shpërndarjen e skandalit me përgjimet.

Sidoqoftë,  përgjimet në atë kohë kishin përfunduar në internet, vetëm 12 ditë pasi ato Prokuroria u kishte dhënë kopjet e përgjimeve, të akuzuarve dhe avokatëve të tyre.

Hetimet për këtë rast kishin filluar edhe pse të njëjta kurrë nuk kanë rezultuar me ndonjë përgjegjës që ka nxjerrë në publik përgjimet që ishin bërë për një rast krejt tjetër.

Misioni i BE-së në Kosovë pati thënë në atë kohë se Prokuroria Themelore e Prishtinës është duke e hetuar publikimin e përgjimeve.