Rajon & Botë

Përmbytjet në Greqi, autoritetet nisin hetimet

Moti i keq dhe përmbytjet kanë gjunjëzuar Greqinë dhe Italinë, ku në total regjistrohen 17 viktima. Më e rëndë situata është në Greqi. Bilanci më i fundit flet për 16 të vdekur, 23 të plagosur e të paktën 4 të zhdukur. I fundit që u gjet i pajetë ishte një 60-vjeçar, në qytezën e Nea Peramos-it.

Ekipet e emergjencave janë angazhuar plotësisht për gjetjen e 4 personave të shpallur në kërkim. Operacionet e shpëtimit vijuan pa ndërprerje edhe gjatë natës, në të gjitha lagjet periferike të Athinës, që janë edhe zonat të goditura më rëndë nga përmbytjet.

Autoritetet njoftuan për 86 raste të ndërhyrjeve për të evakuuar banorët e rrethuar nga uji nëpër banesa, biznese, apo në automjetet e mbetura në mes të rrugëve të përmbytura. Me qindra janë ndërtesat që janë shndërruar në të pabanueshme.

Prokurorët paralajmëruan nisjen e hetimeve për shkaqet e katastrofës së përmasave të mëdha, një nga motivet kryesore të së cilës mendohet të jetë planifikimi jo i rregullt urban.

Përmbytjet kanë përfshirë edhe Italinë qëndrore e jugore. Një 27-vjeçar humbi jetën në një aksident rrugor, shkaktuar nga shikueshmëria e ulët në një autostradë për shkak të reshjeve të dendura.

I goditur rëndë është rajoni i Abrucos, ku shumë zona të banuara janë mbuluar nga ujërat. Autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e shkollave dhe institucioneve të tjera publike, pasi raportohet se gjendja pritet të jetë alarmante edhe në ditët në vijim.