Aktuale

Përmirësohet situata e rrugëve, probleme vetëm në disa akse të thella malore

Situata e akseve rrugore në Shqipëri po vjen drejt përmirësimit, kjo edhe për shkak të rritjes së temperaturave si dhe masave të marra.

Sipas Emergjencave Civile situata deri në paraditen e të shtunës paraqitet e tillë:

Qarku Shkodër.

Rrugët Shkodër-Theth (e kalueshme deri në Qafë Thore) dhe Shkodër – Shllak – Temal (e kalueshme deri tek Muri i Turkut), vijojnë të jenë të bllokuara nga reshjet e rëna.

Rruga Laç – Vau Dejës – Qafë Çelë, në vendin e quajtur Qafa e Komanit, është totalisht e bllokuar nga një sasi e rënë dheu e gurësh.

Të kalueshme me zinxhirë paraqiten rrugët Tamarë – Vermosh (M.Madhe), Hadroj – Qafë Bene, Fush Arrez – Qafë Mali – Fierz, Fush Arres – Qafë Shllak, Qafë Çelë – Pukë – Fushë Arrës, Qafë Qerret – Qelez- Bardhet – Iballë (Pukë), si dhe Shkodër – Breg Lumi – Theth.

Në dy fshatra në Iballë, Fushë Arrës, dhe në dy fshatra në Blerim mungon energjia elektrike. Probleme me ujin e pijshëm në nivel qarku nuk ka.

Dy janë rastet e regjistruara të emergjencave shëndetësore, aktualisht nën kontroll mjekësor.

Qarku Kukës.

Rruga e Kombit është e qarkullueshme normalisht.

Me zinxhirë ajo Kukës – Ura e Zapodit – Shishtavec.

Pa zinxhirë, rrugët Kukës – Bushtricë, Fushë – Dugagjin – Qafë Shllak, Kukës – Krumë, Krumë – Qafë Prushi – Kam.

Në Bashkinë Kukës, i bllokuar është vetëm aksi rrugor për në njësinë administrative Arrën.

Qarku Dibër.

Aksi rrugor rural Peshkopi-Lurë vazhdon të jetë i bllokuar.

Në aksin Qafë Bualli – Krastë, qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.

Pjesërisht me zinxhirë kalohet në aksin Kuben – Vasie, Ura e Qytezës – Zerqan, Ura e Çerenecit – Steblevë.

Pa zinxhirë mund të qarkullohet në aksin Skuraj – Qafë Bualli, Qafë Bualli – Peshkopi – Maqellarë – Bllatë, Peshkopi – Qafë Drajë.

Qarku Lezhë.

Normale paraqitet situata e qarkullimit të mjeteve në akset kombëtare. Në aksin Milot – Tuneli i Thirrës, Reps – Tuneli Thirrë, qarkullimi i mjeteve kryhet pa zinxhirë.

Ndër njësitë administrative, me zinxhirë është e kalueshme aksi Shëngjin – Xhuxhë dhe Sang – Hebe (Fan), Rruga nacionale Kurbnesh – Lurë (Selitë). Ndërsa pa zinxhirë akset rurale Nënshejt – Lajthizë dhe Reps – Gurth – Spa (Orosh).

Qarku Berat.

Qarkullimi i mjeteve është normalizuar në të gjitha akset kombëtare të qarkut, ku pa zinxhirë kalohet në akset Berat – Gllavë – Antena, dhe Potom – Skrapar.

Zinxhirët këshillohen në Tomorr i Vogël, Tomorr i Madh, Lybesh dhe Kapinovë (njësia administrative Vërtop, të Bahkisë Poliçan).

Qarku Vlorë.

Në gjithë qarkun temperaturat janë të ende ulëta por me tendencë ngritje dhe situata është në përmirësim.

Pa zinxhirë kalohet në Qafën e Muzinës dhe në aksin Vlorë – Palasë, ku përfshihet dhe Qafa e Llogorasë dhe aktualisht bien reshje shiu.

Qarku Gjirokastrës.

Të kalueshme pa zinxhirë janë akset rrugore Gjirokastër-Kakavijë dhe Tepelenë-Gjirokastër, akset Valare – Erind – Çajup, si dhe Ura e Leklit – Këlcyrë – Përmet – Çarshovë – 3 Urat.

Qarku Korçë.

Qarkullohen me zinxhirë vetëm akset rrugore: Ersekë – Gërmenj, Korçë – Voskopojë, Korçë – Boboshticë – Dardhë.