Opinione

Pesë shkrimtarë të mirë

Lulzim Tafa

(Në këtë shkrim vendosa të shkruaj për pesë shkrimtarët e mi të preferuar për fëmijë, që nuk janë më me ne, por që pavdekësinë e fituan me krijimtarinë e tyre. Krijimtaria e tyre është e përjetshme. Kosova kishte dhe ka edhe shumë shkrimtarë të tjerë të mirë për fëmijë, por unë po i veçoj pesë prej tyre; Vehbi Kikaj, Rifat Kukaj, Ymer Elshani, Zejnullah Halili dhe Agim Deva. Pa dyshim përzgjedhja është edhe subjektive pasi që i kam njohur të gjithë. Kurse shkrimin e bëj vetëm nga pozita e një lexuesi që i kujton shkrimtarët e vetë, të cilët më nuk janë.)

Nuk e di cili vit ishte, por e di se isha fillorist në klasën e gjashtë apo të shtatë. E di vetëm se ishte data tetë dhe muaji mars. Pra ishte tetë marsi dita e nënave. Karvani i shkrimtarëve për fëmijë, që bënte xhiro nëpër Kosovë, u ndal edhe në shkollën tonë për të mbajtur një orë letrare. Në atë orë letrare, shkrimtarët më të njohur për fëmijë i lexuan vargjet e tyre. Pas tyre, edhe ne nxënësit i lexuam vargjet e tona. Unë në atë orë letrare lexova një poezi për tetë marsin, pastaj lexuan edhe disa nxënës të tjerë ashtu siç na kishin përzgjedhur arsimtarët. Ajo që ka mbetur përgjithmonë në kujtesën time është se pas përfundimit të asaj ore letrare mu afrua Vehbi Kikaj, ma shtrëngoi dorën, më përgëzoi dhe më tha; Ti do të behësh poet. Kisha lexuar romanin “Sarajet e bardha”, pastaj kisha lexuar librat me vjersha, ”Shtëpia ime ka sy”, “Zogu i argjendtë”, “Ecjen e mësoj prej Lumit”. Të them të drejtën, Vehbi Kikaj ishte shkrimtari im i preferuar dhe, edhe pse unë kisha shkruar pak vjersha për fëmijë, për mua ishte me rëndësi sepse sikur po e merrja bekimin e tij që të vazhdojë të shkruaj vjersha. Më duket se ia dëgjoj atë zërin e tij të butë, edhe kur foli me mua edhe kur lexonte poezinë, që ne e dëgjonim gojëhapur.

/Punëtorët sot në Obiliq/fëmijët i patën miq/ me ta biseduan gjatë/në fund u falen dhuratë/ (Shtëpia ime ka sy).

Ne kënaqeshim me vargjet e tij. Pastaj Rifat Kukaj, me poezinë e tij të bukur, me satirat e ëmbla, na tregoi shumë gjëra nga jeta e tij si fëmijë, mandej më kujtohet se ne qeshëm shumë kur na tha; po ju tregoj edhe një sekret; unë jam dashuruar shumë i vogël, që në klasën e gjashtë. Na e lexoi edhe një poezi, më duket se poezia quhej “Punë e madhe”.

Nuk vonoi shumë dhe Vehbi Kikaj vdiq. Mund të ketë qenë pak mbi moshën dyzetvjeçare. Nuk kishte pasur jetë të gjatë, por jetën e gjatë ai ia kishte siguruar vetës me krijimtarinë e tij. Kikajn edhe sot e rilexoj shpesh me shumë ëndje. Unë tani shkruaj për të rritur, por kur i lexoj shkrimtarët për fëmijë, mrekullohem, njësoj si atëherë.

Rifat Kukaj jetoi më gjatë. Pata nderin e privilegjin të jemi edhe kolegë. Shkonim bashkë nëpër orë letrare, ishim bashkë në “sofrën poetike”, në “takimet e Gjeqovit” etj. Më patë falur stilografin e vet, njëherë, derisa po ktheheshim nga një manifestim letrar, sepse i pëlqeu shakaja ime kur i thash, e ke lapsin e mençur, po shkruan mire, e ai e nxori nga xhepi stilografin e vet dhe ma fali, qe merre më tha. Rifat Kukaj shkruante edhe skenarë filmash (atyre që ju kujtohet filmi “Lepuri me pesë këmbë”, skenarist ka qenë Rifat Kukaj). Pastaj, ndokush edhe mund të mos e dijë që Rifat Kukaj është edhe tekst shkruesi i këngës hit “Baresha”, të kompozuar nga Rexho Mulliqi, e me interpretim të zërit magjik të Nexhmije Pagarushës. S’e di pse njerëzve pak u intereson se kush i shkruan ato tekste të bukura të këngëve që dëgjojmë. Tekst shkruesit sikur bien gjithmonë nën hijen e këngëtarëve dhe kompozitorëve. A mundet dikush të më tregojë se a bëhet kënga pa tekst? Pse kënga “Baresha” është këngë kaq e bukur? Është e bukur sepse e shkroi mrekullisht Rifat Kukaj, se e komponoi Rexho Mulliqi dhe e këndoi Bilbili. Ja pra çka do të thotë kur disa njerëz me vlera e krijojnë një supervlerë. Nuk ka asgjë të rastësishme këtu.

Me Ymer Elashanin, shkrimtarin nga Korretica, ndodhi një tragjedi. Gjatë luftës në Kosovë forcat serbe e vranë dhe e masakruan bashkë me nënën e tij, katër djemtë dhe gruan (masakra e tmerrshme e Poklekut). Po a vriten shkrimtarët more? Më kujtohen vargjet e Podrimjes A vriten pëllumbat bre. Çudi si i mbanë toka ata kriminelë. Ymeri ishte njëri prej shkrimtarëve më të mirë të letërsisë për fëmijë që kishte Kosova.

Zejnullah Halilin, Zoti e kishte krijuar që të jetë shkrimtar për fëmijë. Ai shkruante mirë, bukur i lexonte vargjet e veta, por ai shpesh i moderonte edhe orët letrare. Më kujtohet se fëmijët i duartrokisnin shumë atij. Ishte shkrimtar model.

As Agim Deva nuk është më. Agimi ishte një poet fantastik për fëmijë. Edhe Agimin e kam njohur më vonë si profesor i letërsisë për fëmijë. Kam pasur miqësi me të. Agimi e kishte edhe pamjen e një poeti të madh. Pamja e tij ishte ajo pamje, që kur lexon një libër për fëmijë, dhe nuk e ke idenë se si duket shkrimtari por vetëm e parafytyron, e tillë ishte edhe pamja e tij. Të tillë e kujtoj unë, të tillë e kujtojnë lexuesit.

Mos të harrojmë se këta shkrimtarë, dhe të tjerët shkrimtarë për fëmijë, e kultivuan dashurinë tonë për lexim. Me këta shkrimtarë ne ia zumë fillin leximit. I lexuam së pari ata, pastaj i lexuam të tjerët, shkrimtarë tanë e të huaj. Jam i sigurt se po të mos i kisha lexuar së pari këta, nuk do të kisha arritur t’i lexoj as Kafken, as Kamyn, as nuk do ta shijoja Lorken e Preverin.

Unë e kam të qartë ndikimin e madh që kanë shkrimtarët për fëmijë në formësimin intelektual të njeriut. Thjesht janë baza. Unë për vete u jam mirënjohës këtyre shkrimtarëve për fëmijë (Kikaj, Elshani, Kukaj, Halili e Deva) të cilët nuk janë më me ne, por, ishin shkrimtarë të mirë, andaj, mos i harroni, lexojini.