Aktuale

Policia e Kosovës i bie në gjurmë veturës nga e cila u vra Ivanoviq, e gjen kujt i është shitur

Policia e Kosovës i ka rënë në gjurmë veturës së djegur me të cilën dyshohet se u krye vrasja e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Burime të sigurta të lajmi.net brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë treguar se vetura ka hyrë në Kosovë përmes shtetit Serbisë dhe është gjendur edhe pronari.

“Veturën që është djegur e kanë lokalizuar dhe gjurmët qojnë në Serbi përmes një shteti të BE-së”, ka thënë një burim brenda MPB për lajmi.net.

 
Burimi i ka thënë lajmi.net se “Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar zyrtarisht përmes Ministrisë së Drejtësisë te autoritetet serbe që të na ndihmojnë. MPB përmes një shteti të BE-së e ka lokalizuar që vetura ka qenë në Serbi dhe e kanë gjetur pronarin kujt i është shitur në mes të vitit të kaluar”, ka thënë burimi.

Vetura e tipit Opel, sipas këtij burimi, është gjetur se kujt i takon që nga viti 2009, dhe kujt i është shitur.

“Është gjetur prej 2009 se kush ka qenë pronar i veturës dhe kujt i është shitur vetura në mes të vitit të kaluar”, ka thënë burimi për lajmi.net.

Ndryshe Policia e Kosovës deri në këto momente është duke vazhduar hetimet intensive dhe ka gjetur mjaft prova relevante që qojnë drejt gjetjes së kryerësve të krimit.