Aktuale

Policia e Kosovës mbrëmë realizoi një aksion në një klub stiptizi në magjistralen Prishtinë – Ferizaj

Pak para mesnate, Policia e Kosovës mbrëmë ka zhvilluar një operacion në magjistralen Prishtinë – Ferizaj.

Policia e Kosovës ka bastisur një klub striptizi, ku dyshohet se në këtë vend është kryer veprimtari kriminale e llojit të prostitucionit dhe krim të organizuar.

Mirëpo, gjatë 24 orëve të fundit Policia e Kosovës bën të ditur edhe për shumë raste të tjera, vjedhje, sulm ndaj personit zyrtar, armëmbajtje pa leje e aksidente trafiku.

Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës, bëri të ditur se të gjitha njësitet e Policisë kanë qenë aktive në funksion të realizimit të detyrave.

“Policia e Kosovës edhe gjatë 24 orëve të fundit me njësitet e saj ka qenë aktive në funksion të realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saj dhe bazuar në informacionet që kemi në rajonin e Prishtinës janë raportuar një rast vjedhje, në Gjilan kemi shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, në Ferizaj është raportuar një incident zjarri, në Prizren ka pasur sulm ndaj personit zyrtar, në Pejë armëmbajtje pa leje, në Gjakovë lëndim të lehtë trupor, në Mitrovicë një aksident trafiku me lëndime si dhe një rast vjedhjeje”, tha Hoxha.

Hoxha për rastin në Prizren, sulm ndaj personit zyrtar, tregoi se personi i cili është arrestuar ka qenë nën ndikim të alkoolit.

“Është arrestuar i dyshuari një person pasi që i njëjti nën ndikim të alkooli kishte sulmuar fizikisht zyrtarët policore. Gjatë arrestimit, lëndime të lehta trupor kanë pësuar tre zyrtar policore, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor. Nga i dyshuar është konfiskuar një pistoletë me katërmbëdhjetë fishekë. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, tha më tej Hoxha për Express.

Ndërkohë, në Ferizaj një person ka raportuar se shtëpia e tij për shkaqe të panjohura është kapluar nga zjarri dhe si pasojë është djegur pullazi i shtëpisë, vlera e dëmit vlerësohet të jetë e konsiderueshme. Zjarrfikësit dhe Policia kanë qenë në vendin e ngjarjes por fatmirësisht nuk është raportuar për lëndime në njerëz.

Një vjedhje e rëndë ka ndodhë në Prizren. Policia bën të ditur se përmes video incizimit janë identifikuar dy të dyshuar pasi që kishin kryer vjedhje nga një automjeti i parkuar, ku kanë vjedhur një telefon mobil, një qese me veshmbathje si dhe radion e veturës. Malli i vjedhur i është kthyer viktimës. Ndërsa, dy të dyshuarit me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje.

Sa i përket aksidenteve në trafik, sipas policisë fatmirësisht nuk ka ndonjë me fatalitet.