Aktuale

Policia jep detaje të ngjarjes që ka ndodhur mbrëmë në rrugën “B”

Policia njofton se dje në një objekt afër rrugës “B” në Prishtinë, ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.

Bazuar në rezultatet e hetimeve fillestare, ngjarja është nxitur nga një zënkë e momentit, e cila ka eskaluar dhe në një përleshje ku kanë qenë të përfshirë disa persona, është shtënë me armë zjarri, është përdorur arma e ftohtë (thikë) si dhe mjete të tjera të forta.

Në këtë rast janë lënduar 3 persona: A. S, mashkull , 37 vjeç, ( i goditur me mjetë të fortë ) G.A, mashkull , 26 vjeç, ( i therur me thikë ) dhe P. S, mashkull , 21 vjeç, ( i therur me thikë), të cilët menjëherë janë dërguar për trajtim mjekësor. Po të njëjtëve persona, pas marrjes së autorizimit nga ana e Prokurorit të shtetit, u është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

Aktualisht puna policore për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë si të dyshuar të mundshëm po vazhdon, ndërkohë që lidhur me këtë ngjarje, në polici është iniciuar rasti vrasje në tentativë dhe lëndim trupor./KosovaPress/