Aktuale

Policia konfirmon arrestimin e 10 aktivistëve të VV-së

Policia e Kosovës ka treguar epilogun e protestës së sotme. Bëhet e ditur se janë sekuestruar dhe identifikuar disa pajisje të dyshimta që, sipas policisë, kanë paraqitur rrezik për jetën e qytetarëve.

Përveç gjetjes së policisë në një depo pranë “Termokos”-it, ata kanë treguar edhe për një rast kur është arrestuar një person që ka tentuar të këpus kabllot e televizionit, me inicialet E.A.

Komunikata e plotë e Policisë së Kosovës:

Policia e Kosovës gjatë të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore për mbajtjen e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike, mbrojtjen e pronës private dhe shtetërore si dhe në funksion të menaxhimit të situatës së sigurisë së përgjithshme dhe parandalimit të aktiviteteve të kundërligjshme në vend, ka ndërmarr veprime hetimore dhe operacionale përmes të cilave janë identifikuar dhe sekuestruar disa pajisje të dyshimta të cilat mund të paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve, si dhe shkaktojnë dëme materiale në qoftë se arrihet deri te posedimi dhe përdorimi i tyre.

Disa persona të dyshuar, po ashtu janë shoqëruar nga Policia e Kosovës, për intervistim lidhur me dyshimet e bazuar për veprime të kundërligjshme.

Me datë, 01.09.2016, në rrugën “28 Nëntori” në Prishtinë në një depo të një objekti, gjatë bastisjes së realizuar nga Policia me urdhër të organeve kompetente janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë si në vijim:

25 çanta me shishe të vogla nga qelqi te mbushura me materie të lëngshme
Gjashtë pako të ndryshme me shishe të mbushura me materie te lëngshme
Shtatë plastike të improvizuara për hedhjen e mjeteve te ndryshme
Pesë shishe plastike 10 litërshe të mbushura me materie te lëngshme
Dy hinka ngjyre të kuqe
Tri qese me gur të madhësive të ndryshme
Një qese me maska vizatimore
25 çanta me shishe te vogla nga qelqi te mbushura me materie te lëngshme
Shtate çanta me kavanoz me materie të lëngshme
Një çantë me 31 shishe të vogla ngjyre vjollce me materie të lëngshme
Shtatë megafona
Një paketë me ID të personave me emra dhe mbiemra të tyre.
21 sprej me ngjyrë.

Deri më tani të gjitha këto janë të konfirmuara, përderisa evidentimi është ne proces.

Gjatë zhvillimeve sot, sipas procedurave ligjore nga Policia janë shoqëruar për intervistim dhjetë (10) persona të dyshuar, nga ta, dy (2) deputetë të kuvendit të RKS-së, dhe të gjitha veprimet tjera janë ndërmarr në koordinim me prokurorinë kompetente.

Njëri nga të ndaluarit e dyshuar me iniciale E. A. (1983), në ora 11:25 është kapur afër ndërtesës se Qeverisë së RKS-së, duke tentuar të ndërhyjë në kabllot e sistemit të transmetimit televiziv, ku ka hap njërën prej kutive të sinjalit të televizionit dhe ka tentuar ta këpus, ai në krah kishte çantën në të cilën kishte edhe gjësendet e dyshuara.

Është konsultuar Prokurori kompetent, ku për të dyshuarin e lartcekur me iniciale E.A. ka urdhëruar që të hapet rast “Hyrje në sistemin kompjuterik”, të intervistohet dhe të lirohet në procedure të rregullt.

Policia është duke realizuar me kompetence detyrat dhe përgjegjësit e saj ligjore dhe falënderon të gjithë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar në funksion të identifikimit të aktiviteteve ilegale të cilat për rrjedhojë mund të krijojnë rrezik dhe pasiguri për qytetarët tanë dhe institucionet e vendit.