Opinione

Populli në kredi, atdheu në hipotekë

Lulzim Tafa

Sipas të dhënave që ka Banka Qendrore e Kosovës, thuhet se shuma e kredisë që qytetarët e Kosovës kanë ndaj bankave komerciale është rreth 1.6 miliardë euro (pa i llogaritur këtu kamatat, që mund të shkojnë deri në 1 miliard euro të tjera). Përveç kësaj, bankat për të lëshuar një kredi, kërkojnë si hipotekë trefishin e shumës së kredisë që e lejojnë, që do të thotë se mbi 5 miliardë Euro është vlera që bankat në Kosovë kanë peng apo hipotekë (referuar terminologjisë bankare).

Kuptohet, këtu nuk bëjnë pjesë kreditë e zeza apo fajdet ilegale, që i aplikojnë individë “të fuqishëm” ndaj bizneseve në vendin tonë, por dhe ndaj qytetarëve.

Pra, kjo temë nuk ka të bëjë vetëm me kreditë e hipotekat, por edhe me fajdet, reketin, përgjithësisht me problematikën e kësaj fushe, pa i ndarë bizneset dhe qytetarët, sepse nuk janë vetëm biznesmenët në kredi – kam përshtypjen që pjesa dërrmuese e popullit është në kredi.

Kredi për banesë e shtëpi, kredi për biznes, kredi për orendi, kredi për studime, kredi për martesë, kredi për veturë, kredi për pushime ,thjesht – kredi për të jetuar.

Sot ne jemi dëshmitarë, që bankat në Kosovë publikojnë, vazhdimisht, në faqet e gazetave se shesin prona të caktuara, sidomos hipotekat e vendosura nga bizneset dhe garantuesit e tyre.

Unë nuk e di nëse ata arrijnë t’i shesin, apo qytetarët ngurrojnë t’i blejnë ato për shkak se kosovarët nuk kultivojnë traditën e blerjes së hipotekave apo “pronës me fjalë”, siç i quajnë ata pronat e tilla, ndonëse më mirë qëndron puna me shitjen e “pengut të luajtshëm”, siç janë; veturat, kamionët, makinat e suvatimit, makinat për autolarje, sharrat e deri te makinat e qepjes dhe gjësendet e amvisnisë, që qytetarët i kanë të vendosura si hipotekë në banka.

Po ashtu, duke iu referuar evidencave që ka Rregullatori i bankave (Banka Qendrore e Kosovës), këto banka kanë të mbledhura 1,9 miliardë Euro depozita të qytetarëve, të cilat i ndërmjetësojnë tek ata që kanë nevojë të marrin kredi, ndonëse afërsisht bankat japin kredi me normën mesatare rreth 14%, kurse mesatarja e normave që ata ua paguajnë depozituesve nuk jam i sigurt nëse i afrohet 4%-shit, që do të thotë se diferenca ndërmjet marrjes dhe dhënies së kredisë, që aplikojnë Bankat Komerciale në Kosovë është së paku 10%.

Askush këtu nuk i fajëson bankat, ato janë legjitime dhe e bëjnë punën e tyre. Ne e dimë që ato nuk janë shoqata humanitare, ato jetojnë prej këtyre transaksioneve. Unë e kam hallin vetëm te qytetarët dhe bizneset, tek obligimet e tyre dhe vështirësinë që kanë për t’i kthyer ato kredi, te pronat e tyre që i kanë të vendosura në hipotekë, dhe që përditë bankat po ua nxjerrin në shitje për shkak të paaftësisë paguese të tyre. Është mirë që, së paku bankat po afarojnë me sukses, dhe po ndahen me fitime falë klientelës së tyre të nevojshme për mbijetesë.

Lartësia e normës së interesit, që aplikojnë bankat në Kosovës është shumë e lartë dhe e papërballueshme, por meqë jemi në kushte të ekonomisë së lirë të tregut, përcaktimi i këtyre normave është çështje e tyre, madje, mendoj se, ndërhyrjet e autoritetit të konkurrencës për dyshimet se ka pasur sinkronizim mes bankave për lartësinë e normës nuk i kam parë të argumentuara asnjëherë.

Vërtet kjo është një fatkeqësi, por, si në shumë fatkeqësi që ka, mund të dalë edhe ndonjë e mirë, dhe këtu e mira e madhe, apo fati është se Serbia, okupatori ynë, defenitivishti i ka humbur të gjitha gjasat që ndonjëherë të kthehet në Kosovë, sepse këtë, përveç që nuk do ta lejojmë ne, nuk do ta lejoj as bashkësia ndërkombëtare dhe bota liridashëse, por këtë nuk do ta lejojnë as Bankat Komerciale në Kosovë sepse një pjesë të madhe të territorit të vendit tonë tanimë e kanë në hipotekë dhe pronësi, madje pjesën më të mirë të territorit, që gjendet buzë rrugës së asfaltuar, kurse pjesa që bankat nuk e kanë pranuar për hipotekë, si male e toka të tjera djerrina, nuk i duhet pothuajse askujt, madje as okupatorit të deri djeshëm.

Derisa po merresha me këtë analizë, m’u kujtuan vitet e nëntëdhjeta , libri i Rexhep Qosjes “Populli i ndaluar”, pastaj libri i Agim Vincës “Populli i pandalur”, dhe duke e parë gjendjen me kreditë, numrin e qytetarëve të Kosovës që gjenden në kredi, duke pasur parasysh se për secilën kredi duhen edhe dy garantues, atëherë nuk e kemi të vështirë të japim konstatimin definitiv se Populli është në kredit, dhe ndoshta do të mund të dilte një libër mjaft atraktiv e i lexuar me titullin “Populli në kredi”.

E patë, unë që në fillim e trajtova seriozisht këtë problematikë, dhe në pamundësi që fajin ta hedh diku , që unë për vete nuk e di, vendosa që pjesën e dytë të këtij shkrimi ta bëj në parodi, sepse, vërtet, as unë nuk kam opinion të saktë lidhur me këtë.

Vetëm se, një gjë është e sigurt – kur Populli është në Kredi, Atdheu është në Hipotekë. E këtë e them pa mahi.