Aktuale

Pozita kërkon ekspertiza tjera për Deharin, VV thotë se nuk i besojnë hetimeve të tyre

Kuvendi i Kosovës, ka mbajtur seancën e jashtëzakonshme, ku ka debatuar lidhur me vdekjen e aktivistit të VV-së, Astrit Dehari. Deputetët e VV-së dhe në këtë seancë thanë se Astrit Deharin e vrau shteti, duke kërkuar hetim ndërkombëtar për këtë rast.

E përfaqësues të koalicionit qeveritar, kërkuan që në këtë debat të ketë deklarime të matura, pasi që ky është rast i ndjeshëm.

Zenun Pajaziti, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, kërkoi që rasti i Deharit, të mos trajtohet politikisht. Ndërsa tha se partia të cilës ai i takon, u beson ekspertëve dhe institucioneve të vendit dhe se duan drejtësi  lidhur me rastin në fjalë, i cili duhet të ndriçohet, pasi që konsiderohet një nga rastet më të vështira. Ndërsa tha se janë të gatshëm dhe  për një super ekspertizë nga institucionet kredibile ndërkombëtare,  që njëherë e mirë të sqarohet rasti Dehari.

 

“Ne jemi këtu dhe sot i ftoj të gjithë që të jenë sa më korrekt, sa më të bashkuar rreth trajtimit të këtij rasti që është shumë i ndiejshëm. Një rast,  i cili më shumë se gjithçka tjetër na duhet të ndriçohet, të ketë drejtësi, të trajtohet nga institucionet e drejtësisë dhe sa më pak ne këtu të trajtojmë politikisht ose për më tepër të shfrytëzohet për  motive dhe agjenda politike. Fatkeqësisht sot në Kuvend duhet të debatojmë për Astrit Deharin,  për një qytetar të Kosovës, i cili në një fazë të jetës së tij gjendej në një nga institucionet e shtetit  dhe sipas ekspertizës së fundit vdekja atë e gjeti në burg. Besoj që sot  dhimbjen e familjes dhe të dashurve të viktimës, nuk duhet ta lëndojmë më shumë”, tha Pajaziti.

E Ismet Beqiri nga LDK-ja tha se të gjithë  janë të interesuar që të dihet e vërteta për vdekjen e  Astrit Deharit. Por tha se me këtë rast u abuzua shumë për përfitime politike.

 

“Askush nga ne nuk duhet shfrytëzuar rastet e tilla  të rënda, për çfarëdo përfitimi politik. Më vjen rëndë ta them këtë por nëse si vjen rëndë ta bëjnë ose të sillen kësisoji dikush tjetër, atëherë ne si LDK duhet ta themi qartë.  Në asnjë rrethanë nuk  guxojmë dhe nuk duhet politizuar rasti i vdekjes së të riut Dehari. Në asnjë rrethanë nuk duhet linçuar njerëzit, gjykuar  dhe aktgjykuar ndaj atyre dhe individëve nga cilido subjekt politik. Kjo është totalisht e papranueshme si është bërë në momente të caktuara nga subjekti Vetëvendosje. Askush prej nesh jo me bajrak partiak dhe militantizëm, jo të flasim nga fundi i barkut por të flasim me arsye. Fatkeqësisht partiak. Sepse është rast i rëndë dhe tragjik. Ne si LDK kemi kërkuar  edhe për shumë raste tjera të ndodhura ndër vite në rrethana dhe kohë të ndryshme, që çdo vrasje edhe vetëvrasje humbje jete  të shumë veprimtareve të LDK-së , për të përsëritur  të vërtetën. Duam ta dijmë për të gjitha jetërat e humbura. Ne kem të drejtë të dijmë për çdo rast….. Ne kërkojmë dhe duam ta dijmë dhe kush ka tentuar me vra Ibrahim Rugovën dhe shumë zyrtarë të tjerë të LDK-së. Por këto i kërkojmë nga organet kompetente”, tha Beqiri.

Por akuzat e deputetëve të opozitës ndaj koalicionit qeverisës ishin të rënda duke fajësuar ata për vdekjen e Deharit.

Glauk Konjufca nga Vetëvendosje  tha se Astritin e vrau pushteti dhe strukturat kriminale të tij.

 

“Unë e di që ky pushtet është i profesionalizuar në kidnapime. Por se kam besuarkurrë që do të vij një ditë në Kosovë kur do të fillojnë të kidnapohen dhe seancat e jashtëzakonshme të Kuvendit. Një vend ku mafia i hyn në shpi kryeporokurorit dhe ia terrorizon familjen, e pushteti del e vajton për vjedhje të telefonave, këtu gjithcka mund të ndodh. Kjo seancë e jashtëzakonshme për Astrit Deharin,  u kidnapua nga PDK dhe LDK…. Astritin nuk e ka vra shteti. Astritin e ka vra mungesa e shtetit, e kjo do të thotë e ka vra pushteti. Sepse pushteti në Kosovë e ka zhduk shtetin….Atë e vrau kjo makineri që strukturat e shtetit që duhet me të mbrojt, i kthen në struktura kriminale që ta marrin jetën. Fytyra e kësaj makinerie janë tre njerëz këtu në Kosovë. Këta tre njerëz e kanë kthyer shtetin në këtë gjendje Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Kadri Veseli. Kurse argatët e tyre që shpik in provat dhe i montojnë proceset, do ta marrë përgjegjësinë edhe ministrja Hoxha, ministri Hyseni, kryepolici Maxhuni, Nexhmi Krasniqi, Fatos Makolli, Abdurrahim Islami e gjithë të tjerët.  Astrit Dehari nuk është vra me 5 nëntor. Astrit Dehari është vra në momentin që e keni bërë terrorist”, tha ai.

Ndërkaq Pal Lekaj nga AAK tha se rastit duhet t’i shkohet deri në fund dhe se me këtë duhet të merret FBI-ja.

 

“ Prej kur ka ndodhur ky rast, është shndërruar në kauzë të përfitimeve politike nga të gjitha taborët. A është vrasje  apo vetëvrasje kjo duhet të vërtetohet deri në fund. Dhe besojmë që më së miri do të ishte të ftohet FBI për ekspertizë”, tha Lekaj.

Një fjalim në lidhje me rastin ka mbajtur ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha. Ajo tha se janë ndërmarrë të gjitha veprimet për zbardhjen e këtij rasti dhe përkundër faktit që ka pasur deklarime nga më të ndryshme.  Ndërsa tha se është përpjekur që të rezervohet për faktin që mos të ndërhyjë në këtë rast dhe organet kompetente, ta kryejnë punën e pavarur dhe në mënyrë profesionale.

 

“Jam thellësisht e shqetësuar për tendencën për të paragjykuar rrethanat e rastit dhe rezultatin. Janë bërë shumë deklarime, të cilat vetëm sa kanë nxituar opinionin publik, duke u  nxituar në përfundime para marrjes së raportit zyrtar nga Prokuroria. Por dhe pas daljes së prokurorisë me raportin zyrtar. Me këtë rast iu bëjë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga deklarimet, që paragjykojnë punën e institucioneve të Kosovës dhe shfaqin mos besim ndaj kësaj pune. Ne gjatë gjithë kohës po kërkojmë sundim të ligjit, transparencë dhe llogaridhënie. Konsideroj që tu besojmë institucioneve tona, është më e pakta. Konsideroj që këtë ia kemi borxh dhe të ndjerit Astrit Dehari. Iu garantoj që ministria ka bërë çdo gjë për të siguruar transparencë të plotë, për zbardhjen e rastit… Çdo ndërhyrje e imja apo e MD  pas kalimit të rastit te Prokuroria, është në ndë rhyrje në pavarësinë e këtij institucionet… Dua të bëjë thirrje që veprimet tona, për aq sa është e mundur dhe deklarimet tona, veçmas  të personave me përgjegjësi dhe që ushtrojnë funksione publike, të bëhen në pajtim me ligjet në fuqi dhe të mos tentojnë që të përfitojnë politikisht në çfarëdo forme në tragjedi të tilla”, tha ajo.

Por edhe  kësaj radhe në seancë u kërkua dorëheqja e saj. Deputetja Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje tha ministres Hoxha se para të shpif para deputetëve të Kuvendit, do të duhej të jap dorëheqje.

 

“Para se ministrja e Drejtësisë të bëjë paragjykime, që kërkonte nga ne që të mos paragjykonim rastin. Pastaj e njëjta e shpalli të vetëvrarë Astritin. Para se e njëjta të mbajë konferenca qesharake, të bëjë shpifje para deputetëve të Kuvendit dhe qytetarëve apo të mbajë fjalime patetike, do të duhej ta shqyrtonte seriozisht dorëheqjen. Jo vetëm dhurata hoxha por dhe ministri i punëve të brendshme Skender Hyseni”, tha ajo.

Seanca e jashtëzakonshme për rastin Dehari është iniciuar me kërkesë të PDK-së e mbështetur edhe nga LDK-ja./KP