Aktuale

Presidenti thotë në Turqi se Kosova ka nisur investigimet ndaj bazave të dyshimta të Gulenit

Presidenti Thaçi shprehet se të gjitha ato elemente terroriste që sulmojnë për të destabilizuar institucionet legjitime, paqen dhe sigurinë në Turqi dhe gjetiu në botë, vlerësohen terroristë edhe nga Kosova.

Ai tha se Kosova do të jetë e pakompromis, duke shtuar se janë të vëmendshëm për shqetësimin e ngritur nga autoritetet turke.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili qëndroi në Turqi për vizitë zyrtare, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) ka vlerësuar se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Turqisë do të vazhdojë të jetë strategjik në rrafshin politik, diplomatik, ekonomik, social dhe kulturor edhe në të ardhmen.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë në aspektin e kulturës, tregtisë dhe ekonomisë, duke i vlerësuar si të shkëlqyeshme. Ai po ashtu falënderon homologun e tij Recep Tayyip Erdogan për rolin e tij i rëndësishëm për njohjet që i kanë ardhur Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare.

“Kjo është vizita ime e parë si president i Republikës së Kosovës në Turqi. Raportet mes Prishtinës dhe Ankarasë janë të shkëlqyeshme. Turqia është nga vendet e para që e ka njohur Republikën e Kosovës”, shprehet Thaçi.

AA shkruan se “në lidhje me Organizatën Terroriste FETÖ, e cila qëndron pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik”, presidenti Thaçi vlerësoi se:

“Kosova ka pritur me vëmendje të madhe atë mbrëmje të zezë dhe të errët të sulmit ndaj institucioneve legjitime në Turqi. Unë po atë mbrëmje kam deklaruar qartë në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës se nuk ka tank e as dhunë që e shtyp vullnetin e një populli për liri, për të drejtat dhe institucione demokratike. Kosova ka qëndruar pranë institucioneve legjitime të Turqisë, pranë angazhimeve për stabilitet të presidentit Erdogan”.

Presidenti Thaçi shprehet se të gjitha ato elemente terroriste që sulmojnë për të destabilizuar institucionet legjitime, paqen dhe sigurinë në Turqi dhe gjetiu në botë, vlerësohen terroristë edhe nga Kosova. Ai tha se Kosova do të jetë e pakompromis, duke shtuar se janë të vëmendshëm për shqetësimin e ngritur nga autoritetet turke.

“Do të veprojmë sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Institucionet tona do të japin përgjigjen e tyre të drejtë, legale dhe juridike. Ne kemi filluar procesin tonë të verifikimit dhe investigimet të të gjitha bazave të dyshimit për elemente të tilla në Kosovë”, u shpreh Thaçi në lidhje me strukturimin e FETO-s në Kosovë./AA