Rajon & Botë

Pretendohet për bastisje në konsullatën ruse në SHBA

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë pretendon se autoritetet amerikane kanë thyer derën e ndërtesës së Konsullatës së përgjithshme të Rusisë në San Francisco të SHBA-ve dhe se kanë kryer bastisje në këtë ndërtesë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga MPJ e Rusisë thuhet se autoritetet amerikane kanë hyrë në ndërtesën e Konsullatës së përgjithshme të Rusisë në San Francisco dhe kanë thyer derën e saj.

Më tej thuhet se autoritetet amerikane kanë bërë kërkime në mënyrë gjithëpërfshirëse.

“Përkundër paralajmërimeve tona, zyrtarët amerikanë nuk e dëgjuan zërin e logjikës dhe nuk hoqën dorë nga planet e tyre të paligjshme. Sot e gjitha ndërtesa e Konsullatës së përgjithshme në San Francisco u konfiskua. Që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar, SHBA kishte konfiskuar me forcë 5 objekte diplomatike të Rusisë. Kurse tani po e bastisin nga fillimi e deri në fund ndërtesën tonë të cilës ia thyen dyert”, thuhet në deklaratën e MPJ së Rusisë.

“Ky qëndrim i SHBA-ve shihet si akt armiqësor dhe se Rusia ka të drejtën për masa reciprociteti”, thuhet në deklaratën e Ministrisë ruse.