Opinione

Prezumimi i pafajësisë

Lulzim Tafa

Të gjitha legjislacionet moderne penale në botë, të gjitha kushtetutat e vendeve demokratike të botës, të gjitha konventat ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut, e njohin prezumimin e pafajësisë.

Por, çka është prezumimi i pafajësisë? Si përshkruhet në ligj dhe në akte të tjera, dhe së fundmi, si e sa respektohet në realitet? “Çdokush konsiderohet i pafajshëm deri sa nuk shpallet fajtor, me një aktgjykim të formës së prerë, të një gjykate kompetente”.

Pra, një person apo një i akuzuar konsiderohet i pafajshëm derisa të vendoset edhe në Gjykatën e Apelit, madje edhe nëse është shpallur fajtor nga Gjykata e Shkallës së Parë. Pra, derisa të përfundojë procedura me të ashtuquajturat “mjete të rregullta”, apo ankesa, konsiderohet i tillë, edhe pse edhe një aktgjykim i formës së prerë mund të atakohet (pas përfundimit të procedurës me mjete të rregullta) me mjete të jashtëzakonshme, por të cilat më nuk i japin personit të dënuar “prezumimin”, përjashtimisht në rast se aktgjykimi i atakuar prishet nga goditja me këto mjete.

Pra, siç po shihet, nuk ka gjë më humane sesa ligji. Ligji bëhet për t’u shërbyer njerëzve, prandaj edhe humanizmi i tij është i pakontestueshëm.

Neni 31, Pika 5, e Kushtetutës së Republikës së Kosovës thotë: “Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm, derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin”.

E njëjta gjë thuhet edhe në Nenin 3, të Kodit të procedurës penale të Kosovës. Pothuajse pikë për pikë të njëjtën gjë e siguron, shumë dekada më parë, Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, saktësisht në nenin 11. S’ka dyshim se edhe Kushtetua e Republikës së Kosovës, edhe legjislacioni ynë penal kanë qenë të obliguar që këtë formulim ta vendosin në dispozitat e tyre. Por, a mjafton kjo?

Gjëja e parë që më bije ndërmend, kur është fjala te prezumimi i pafajësisë, janë arrestimet me kamera.
Arrestimi është një masë shumë e rëndë, të cilin e ndërmarrin organet e përcaktuara me ligj vetëm në rastet, po ashtu të përcaktuara me ligj dhe paraqet masë ekstreme në procedurën penale
Organet e autorizuara janë të detyruara që ta zbatojnë këtë masë vetëm kur është e domosdoshme. Arsyet pse një person duhet të mbahet në arrest janë të përshkruara qartë në nenin 281, të Kodit të Procedurës Penale.

Secili hetues, secili prokuror dhe secili Gjykatës, duhet ta ketë të qartë, kur bëhet fjalë për masën e arrestit, se jeta e secilit njeri ndahet në dy etapa; para dhe pas arrestimit. Një njeri i arrestuar pa arsye, kurrë më nuk mund të jetë i njëjti njeri që ka qenë, sepse arrestimi paraqet tronditje të madhe të cilin nuk ka më çmim e as procedurë që e kompenson, madje nuk mund të kompensohet edhe me të ashtuquajturin rehabilitim ligjor, e as me kompensim dëmi, siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale në nenet 534-539.

Natyrisht se më të rëndat janë arrestimet me kamera, të cilave edhe u referohet ky shkrim, sepse dëmi që i shkaktohet kredibilitetit të një personi me këto arrestime është shumë i madh, madje do ta quaja edhe kriminal.

Arrestimet që po i shohim ne, pra që po kryhen me prezencën e kamerave, si rasti i disa mjekëve apo edhe rasti me guvernatorin e Bankës Qendrore, i cili pa paraqitur asnjë rrezik për organet e zbatim të ligjit, del, madje i buzëqeshur, me pranga në duar, janë të pakuptueshme. Është e pakuptueshme që dikush të pozojë me duar të lidhura dhe t’i buzëqeshë kamerës, sepse masa e arrestit është një akt serioz.

Për koincidencë me duar në pranga shfaqet edhe ish- kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar Dominik Shtraus-Kan, akuzat ndaj të cilit më vonë u tërhoqën. Çdo kush mund të thotë se ,,prezumimi” nuk u respektuaka as në vendet me demokraci të konsoliduar dhe të mbështetura në ligj, e lëre më në Kosovë, por ligji është ligj dhe këtu nuk ka kompromis. Dhe, unë, me qëllim e mora rastin e keq të Dominik Shtraus-Kanit, sepse bota ka edhe shumë shembuj të dinjitetshëm për të akuzuarit – Gjykata e Hagës është një model i mirë i trajtimit njerëzor të të akuzuarve.

Askush nuk i fajëson këtu kamerat e as mediumet, pasi ato janë në shërbim të informimit të qytetarëve, dhe me këto skena ata i plotësojnë hapësirat e tyre programore dhe i bëjnë më të shikuara mediumet e tyre, që është krejt normale, por problemi qëndron se kush i fton ata gjatë arrestimit të një personi, që nuk paraqet asnjë rrezik, i cili i përgjigjet edhe ftesës për t’u paraqitur përpara organit kompetent, qoftë edhe për t’i nënshtruar masës së arrestit.

Pra, këtu dikush dëshiron të shesë mend, prandaj dëshiroj t’ua kujtoj të gjithëve prezumimin e pafajësisë, sepse e patë – akuzat ndaj Domenik Shtraus Kanit u tërhoqën, për dëmi për të është i pallogaritshëm.
Çdokush duhet të ndiqet, por edhe të mbrohet, ashtu siç e përcakton ligji.

the authorSamir Dalipi