Aktuale

Prizreni emërton një rrugë në nder të ushtarit të UÇK-së, Jon Harrison

Kuvendi Komunal i Prizrenit, me sa duket ka marr vendim që një rrugë ta emërtojë në nder të ish-ushtarit të UÇK-së nga Brigada “Agim Ramadani”, britanikut Jon Harrison.

 

Lajmërimin e ka bërë vetë Harrison përmes faqes së tij në Facebook, ku thotë se ceremonia do të zhvillohet më 19 tetor.

Ai ka ftuar miqtë, veteranët dhe kolegët e tij që të marrin pjesë në këtë ceremoni, e cila do të zhvillohet në Hotel Theranda mes orës 9:00-10:00 paradite.

“Dua të ju ftoj në inaugurimin e rrugës së re në qytetin e Prizrenit, e cila do të emërohet me emrin e ushtarit të UÇK-së Jon Harrison, instruktor për Delta Forcat Komando, 138 Brig Agim Ramadani. Kjo ngjarje është e organizuar nga Halil Çadraku dhe Peka Gashi, të cilët luajtën rolin më të rëndësishëm që ky nderim të jetësohet. Të gjithë jeni të ftuar të merrni pjesë, ju që doni të merrni pjesë në këtë inaugurim; Ju lutemi të jeni prezent tek Hotel Theranda në Prizren, mes orës 9:00-10:00 paradite”, ka shkruar mes tjerash Harrison, raporton Koha.net.

Harrison është dekoruar me urdhrin Adem Jashari, ndërsa me 23 shkurt të këtij viti, ishte vetë Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili, gjatë qëndrimit të tij në Londër i dha Harrisonit certifikatën e veteranit të UÇK-së.