Aktuale

Prokurori i Shtetit: Së shpejti do të dihen shkaqet e vdekjes së Naser Makollit

Prokurori i Shtetit, respektivisht prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, thotë se dje më 3 prill 2017, nga Policia e Kosovës është njoftuar se nga Qendra e Paraburgimit në Lipjan në QKMF në Lipjan është sjellë pa shenja jete personi Naser Makolli.

Përmes një njoftimi për media nga Prokurori i Shtetit, thuhet se nga kjo prokurori, posa ka pranuar këtë informacion ka dalë në vendngjarje, ku ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe me urdhër të tij rasti është hapur si “Vdekje e dyshimtë”, ndërkaq trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Ndërsa sot,  prokurori kujdestar së bashku me një prokuror tjetër nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë marrë pjesë në kryerjen e autopsisë së N.M.,  në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku të ndjerit Naser Makolli i janë marrë të gjitha mostrat, si të gjakut, urinës, mostrat për analiza toksikologjike, të cilat me urgjencë janë dërguar për ekzaminim në laborator.

“Pas sigurimit të raportit të ekspertizës së obduksionit – lidhur me shkaktarin e vdekjes dhe pas analizimit të të gjeturave tjera, të deklaratave të të gjithë dëshmitarëve, pas ekzaminimit të provave materiale që janë siguruar nga vendi i ngjarjes, incizimeve dhe mostrave të ushqimit që janë marr në vendin e ngjarjes, do të nxirret përfundimi lidhur me shkaktarin e vdekjes së të ndjerit N.M”, thuhet në njoftimin e Prokurorit të Shtetit./KosovaPress/