Aktuale

Prokuroria me koordinator për rastet e kanosjeve ndaj gazetarëve

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka njoftuar se ka hartuar një vendim, i cili pritet të hyjë në fuqi së shpejti, me të cilin ka caktuar një prokuror nga zyra e tij, si koordinator për rastet e kanosjeve apo veprave tjera penale që kryhen ndaj gazetarëve në lidhje me punën e tyre si gazetarë, por gjithashtu me këtë vendim do të obligohen kryeprokurorët e Prokurorive Themelore që të caktojnë nga një prokuror, të cilët do të merren edhe me rastet e raportuara ku gazetarët paraqiten si të dëmtuar.

Lumezi e bëri të ditur këtë vendim gjatë takimit kryetarin e  Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shkëlqim Hysenaj dhe hulumtuesin nga ky Asociacion, Petrit Qollaku.

Në këtë takim u bisedua për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit në mes Prokurorit të Shtetit dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës. Po ashtu, është biseduar për sigurinë e gazetarëve, mbrojtjen e tyre dhe për ndjekjen penale në kohë në të gjitha rastet ku janë të përfshirë gazetarët, duke përfshirë edhe zbardhjen e rasteve të gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur.

“Ndër të tjera gjatë këtij takimi, kryeprokurori Lumezi njoftoi se ka hartuar vendim, i cili pritet të hyjë në fuqi së shpejti, me të cilin ka caktuar një prokuror nga Zyra e tij koordinator për rastet e kanosjeve apo veprave tjera penale që kryhen ndaj gazetarëve në lidhje me punën e tyre si gazetarë. Po ashtu me këtë vendim do të obligohen kryeprokurorët e  Prokurorive Themelore që të caktojnë nga një prokuror, të cilët do të merren edhe me rastet e raportuara ku gazetarët paraqiten si të dëmtuar. Po ashtu kryeprokurori Lumezi informoi se prokurorët do t’i trajtojnë rastet e tilla me prioritet dhe prokurorin e ngarkuar si koordinator do ta mbajnë të informuar për të gjitha veprimet e marra në procedurë, duke nënkuptuar ngritjen e aktakuzës, pushimin e hetimeve apo hedhjen e kallëzimit penal apo ndonjë veprim tjetër eventual, si dhe për aktgjykimet e marra nga ana e gjykatave. Kryeprokurori Lumezi gjithashtu informoi se prokurori i caktuar si koordinator do të mbajë një databazë të posaçme në lidhje me këto raste dhe me vendim obligohet që në baza të rregullta mujore të informojë kryeprokurorin e Shtetit për të gjitha veprimet e ndërmarra  në këtë drejtim”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Në fund të takimit, Lumezi siguroi të pranishmit se edhe në të ardhmen për aq sa lejohet me legjislacionin në fuqi Prokurori i Shtetit do të bashkëpunoj me të gjithë gazetarët, pa i ndarë ata se nga cili medium vijnë, si dhe do të bëjë përpjekje të ndërtoj dhe të ruaj raporte të mira bashkëpunimi me gazetarët e të gjitha mediave në vend./KosovaPress/