Aktuale

Prokuroria: Kurti i mori të dëmtuarit dy banesa përmes fajdesë

I akuzuari Jeton Kurti tha në Gjykatë se nuk ndihet fajtor për veprat që i ngarkohen – fajde dhe shmangie nga tatimi.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e Gjakovës, nga një kohë e pavërtetuar e deri më 25 tetor 2015 i akuzuari ka pranuar shuma dukshëm jopropocionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të atij personi.

Në aktakuzë përmendet rasti i të dëmtuarit Vllaznim Podrimja, i cili nga i pandehuri ka marrë të holla në shumë prej 18.000 euro me kamatë mujore prej 10% e që në emër të kamatës ka kërkuar edhe 35.000 euro.
 
Po ashtu, përmendet edhe rasti i të dëmtuarit Latif Shala, i cili në korrik të vitit 2015 ka marrë të holla nga i pandehuri në shumën prej 10.000 euro me kamatë mujore 13% duke ia llogariitur në emër të kamatës shumën prej 3,000 euro.

Në seancën gjyqësore në Gjykatën e Gjakovës prokurori Ali Uka ka përmendur rastin e Bashkim Lubojës, i cili nga i pandehuri ka marrë 3,000 euro me kamatë 10%, pastaj të Mark Simonit, i cili ka marr 5,400 euro me kamatë mujore 10%.

Gjatë leximit të aktakuzës, prokurori Uka vuri theksin te një i dëmtuar, Ilir Bicurri, i cili nga i pandehuri Jeton Kurti kishte marrë 14,000 euro me kamatë mujore prej 15%. Në emër të borxhit kryesor dhe kamatës, i pandehuri ka marrë nga i dëmtuari dy banesa në rr. “Sadik Stavileci” në Gjakovë.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, i pandehuri ka kryer veprën penale fajde.

Prokuroria Kurtin e akuzon edhe për shmangie nga tatimi me firmën e tij N.P.SH “Ylli”, e cila merret me veprimtari të transoportit rrugor të pasagjerëve.

“Me rastin e kontrollit të kryer nga ana e Inspektoriatit të Administratës Tatimore dega në Gjakovë dhe atë më 5.12.2016 është konstatuar se i pandehuri ka bërë shmangie nga tatimi në vlerë prej 16.138.04 euro”, tha prokurori Uka.

Me këtë veprim, Kurti dyshohet të ketë kryer veprën penale shmangie nga tatimi./Kallxo.com