Aktuale

Prokuroria nis hetimet ndaj tre policëve që i morën fëmijët nga e ndjera Valbona Nrecaj

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet ndaj tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gjashtë muaj pas vrasjes së Valbona Nrecajt dhe vajzës së saj nga bashkëshorti Pjetër Nrecaj.
Tre policët e stacionit Policor të Gjakovës dyshohen se kundërligjshëm kishin ndihmuar Pjetër Nrecajn, që të merrte fëmijen nga nëna e tyre, tashmë e ndjera Valbona Nrecaj, shkruan lajmi.net.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, ka konfirmuar për lajmi.net se janë duke u zhvilluar hetimet lidhur me rastin.

Ai ka thënë se Inspektorati Policor i Kosovës ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj tre policëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Po janë duke u zhvilluar hetimet. Para një javë ka ardhur kallëzim penal nga Inspektorati Policorë. Hetimet kanë filluar, mirëpo kemi pasur disa problemë rreth prokuroreve, për shkak së janë bërë disa ndryshime”, ka thënë Selimaj.

Ndërkaq zëdhënësja e Policisë në Gjakovë, Lirije Podrimaj, ka konfirmuar për lajmi.net se tre policët po vazhdojnë të jenë të suspenduar.

“Mund të konfirmojmë se tre policët e stacionit Policor të Gjakovës vazhdojnë të jenë të suspenduar”, ka thënë Podrimja.

E ndjera Valbona Nrecaj kishte kërkuar ndihmën e Qendrës për Punë Sociale që t’i takonte fëmijët, por meqë ajo e kishte kërkuar shkurorëzimin, bashkëshorti ia kishte ndaluar nënës t’i shihte fëmijët.

Valbona Nrecaj së bashku me vajzën e saj të mitur, u vra me 7 gusht të vitit të kaluar, nga bashkëshorti i saj Pjetër Nrecaj.

Nrecaj u dënua me 24 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij. /Lajmi.net/