Aktuale

Propozohet Qeveri Uniteti në Kosovë

Lëvizja për Bashkim ka propozuar Qeveri të Unitetit në Republikën e Kosovës. Sipas LB-së, Kosova nuk bën të varet më nga Lista Serbe.

“Pas intervenimit të Policisë së Kosovës ditën e djeshme dhe arrestimit e deportimit të Gjuriqit, sot Lista Serbe deklaroi se do të lëshojë qeverinë e Kosovës dhe njëkohësisht deklaroi se do të fillojnë themelimin e asociacionit të komunave serbe në mënyrë të pavarur nga qeveria e Kosovës. Kjo situatë e kombinuar edhe me faktin se kohëve të fundit opinioni publik ka filluar të ushqehet me informatat se aktorë të ndryshëm nga Kosova dhe Shqipëria janë duke e diskutuar me autoritetet serbe mundësinë e ndarjes së Kosovës, apo e këmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka për qëllim krijimin e një situate tensioni si në mes të shqiptarëve ashtu edhe në mesin e serbëve në mënyrë që të shtrohet rruga për kompromiset e ardhshme, të cilat nuk i zgjidhin problemet në mes të dy popujve dhe vendeve.

Lëvizja për Bashkim konsideron se po përgatitet terreni për të aplikuar marrëveshjen për themelimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë. Ky projekt politik që e ka bazën tek marrëveshja e prillit të vitit 2013 dhe ajo e gushtit 2015, nëse do të implementohej do ta shtojë jo-funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Shteti ynë edhe ashtu ka probleme me funksionalitetin e vet për shkak të fuqisë së vetos që kanë deputetët e pakicës serbe në Kosovë. Kombinimi i asociacionit të komunave serbe me privilegjet bllokuese që i parasheh kushtetuta e vendit, e bëjnë projektin asociacionit shumë të dëmshëm për Kosovën.

Lëvizja për Bashkim i bën thirrje presidentit të vendit të thërras partitë politike dhe në bashkëpunim me to të shkohet drejt krijimi të një qeverie të unitetit, e cila nuk do të ishte peng i Listës Serbe. Mandati i kësaj qeverie do të ishte i kufizuar, por do të duhej që të çonte përpara disa prej problemeve kryesore që e mundojnë vendin siç janë bisedimet me Serbinë, krijimin e ushtrisë së Kosovës dhe një reformë zgjedhore. Sa nuk është bërë vonë, detyrë mbi detyrat e kësaj qeverie do të ishte të ndërronte kornizën politike të bisedimeve të deritanishme me Serbinë.

Kjo qeveri do të duhej të ndërtonte një platformë të bisedimeve, e cila për bazë do të kishte parimin e reciprocitetit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në bazë të këtij parimi do të duhej që të gjendeshin të njëjtat zgjidhje për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën me Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin-Potokun. Sa më shumë e zgjasim me logjikën e tanishme të bisedimeve do të rrezikojmë të mbesim edhe një kohë të gjatë peng i problemeve të pazgjidhura me Serbinë dhe serbët” thuhet në reagimin e LB-së.