Aktuale

Punëtorët shëndetësorë protestë një orëshe për rritje të pagave

Punëtorët shëndetësorë sot kanë mbajtur një protestë paralajmëruese para të gjitha institucioneve shëndetësore. Kërkesat e punëtorëve shëndetësorë ishin rritje të pagave, ligj të dinjitetshëm dhe punësim të kuadrit të ri.

Punëtorët shëndetësorë potencuan se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh do të mbajnë një protestë një ditore, e nëse as atëherë nuk ndërmerret asgjë do të shkojnë në grevë të përgjithshme.

Kjo protestë paralajmëruese ka filluar prej orës 08:00, deri në ora 09:00, ku u shpalosën kërkesat e punëtorëve shëndetësorë.

Sherif Makolli, kryetar i sindikatës të QKMF, tha pakënaqësia dhe gjendja e mjerueshme e punëtorëve shëndetësorë i ka bërë që të dalin për të protestuar.

 

“Arsyet janë të shumta, reagime janë të shumta, pakënaqësia dhe gjendja e mjerueshme në shëndetësi duke filluar tek mos rritja e pagës, siguri në vend të punës, sigurimet shëndetësore të cilat nuk janë realizuar, e shumë e shumë pakënaqësi të mëdha. Kërkesat aktuale të sotme janë rritja e pagës që s’ka ndodh dhe premtimet që janë dhënë nga legjislatura në bazë të rritjes buxhetore dhe ligji mbi pagat që është një ligj diskriminues për punëtorët  shëndetësorë”, tha ai.

Sipas tij, kjo protestë ka qenë paralajmëruese, por që nëse nuk reagohet punëtorët shëndetësorë do të mbajnë një grevë një ditore.

 

“Hapi tjetër i cili është marrë në kryesinë e FSSHK-së është që nëse nuk reagohet të shkohet me një protestë një ditore, do të thotë kjo protestë ka qenë vetëm paralajmëruese, por edhe atëherë nëse nuk plotësohen kërkesat tona do të shkojmë në një grevë gjenerale”, tha ai.

Ndërsa, Hadije Osmani, infermiere në QKMF, tha se edhe një vit do të dal në pension dhe me këtë pagë nuk arrin as të blejë barnat për vete.

 

“Për shkak të pagave të ulëta edhe një vjet po dal në pension vitin tjetër çka kam për të bërë me këto paga që për çdo ditë nëpër dyqane rriten çmimet. Me këto rroga nuk mundemi, unë jam me diabet, me tension, barnat shkojnë veç për ilaçe”, tha ajo.

Kërkesat e FSSHK-së kanë qenë që Projektligji mbi Pagat të hidhet poshtë në tërësi, rritja e pagave në përqindjen prej 15 përqind, të bëhet formimi i komisionit për rrezikshmëri në vendin e punës, të formohen grupet punuese për statutet e QKMF-ve në nivel vendi dhe të caktohet zyrtari përgjegjës për QKMF-të në Ministrinë e Shëndetësisë.

Po ashtu, kërkesë ka qenë edhe ulja e përqindjes për sigurime shëndetësore, ku nga 7 të ulet në 4 përqind, procesi i ri-licensimi të shtyhet deri në fund të vitit dhe kërkese e FSSHK-së ishte edhe definimi i kompetencave për furnizim me barna dhe material harxhues si dhe të bëhet plotësim ndryshimi për AKPM-në./KP