Rajon & Botë

Putin kërkon ruajtjen e gjakftohtësisë përballë Koresë së Veriut

Presidenti rus, Vladimir Putin kërkoi sot ruajtjen e gjakftohtësisë në zgjidhjen e problemit bërthamor koreano-verior, gjatë një takimi me homologun koreano-jugor, Moon Jae-In në kuadër të samitit të G20-s në Hamburg, në Gjermani.

“Çështja bërthamore koreano-veriore është një problem shumë serioz. Por këtu, duhet ruajtur gjakftohtësia, duhet reaguar në mënyrë pragmatike dhe shumë delikate”, deklaroi Putin.

Rusia bllokoi dje në OKB një projekt amerikan që kërkonte marrjen e masave domethënëse kundër Koresë së Veriut duke e argumentuar me faktin se raketa e lëshuar nga Pheniani ishte me rreze të mesme veprimi dhe jo ndërkontinentale.

SHBA-ja dhe OKB-ja konfirmuan se “Hwasong-14” ishte me rreze ndërkontinentale veprimi, gjë që shënon një sukses të madh për regjimin e Phenianit, objektivi i të cilit është të kërcënojë tokën amerikane.

Moska i kërkon SHBA-së të ndërpresë manovrat e saj ushtarake në Korenë e Jugut.