Rajon & Botë

Putin shfaq fuqinë detare ruse

Presidenti rus, Vladimir Putin ishte i pranishëm në një paradë detare të organizuar, duke demonstruar fuqinë detare ruse, që ndodhet nga Deti Baltik deri në brigjet siriane.

Rreth 50 luftanije dhe nëndetëse ishin të pranishme përgjatë Nevas dhe në gjirin e Finlandës në Shën Petërsburg, raporton AFP.

“Sot, shumë gjëra janë bërë për të zhvilluar dhe modernizuar marinën”, deklaroi Putin para ushtarakëve pasi kaloi pranë anijeve ushtarake në bordin e anijes së tij presidenciale.

“Marina nuk merret vetëm me detyra të zakonshme, por iu përgjigjet gjithashtu me meritë sfidave të reja, duke kontribuar në mënyrë domethënëse në luftën kundër terrorizmit dhe piraterisë”, shtoi ai.

Ngjarja e zhvilluar me rastin e Ditës së Marinës ruse mori përmasa më të mëdha ashtu si parada kushtuar fitores gjatë Luftës së Dytë Botërore, organizuar çdo vit në Moskë.

Rusia ka përshpejtuar manovrat ushtarake ndërkohë që marrëdhëniet me vendet perëndimore janë përkeqësuar pas aneksimit të Krimesë nga Moska në vitin 2014, që shkaktoi shqetësimin e NATO-s dhe shteteve të Evropës Lindore.

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence filloi sot në Estoni një turne për të garantuar tre vendet baltike, në kufi me Rusinë dhe pastaj do të vijojë me të njëjtin mision në Gjeorgji dhe në Malin e Zi.

the authorE B