Aktuale

Qemajl Mustafa thotë se tradicionalisht Qeveritë rrëzohen nga pozita

Kryetari i PDK’së në Gjilan s’ka dashur të polemizojë me Xhavit Halitin lidhur me deklaratat për rrëzimin e Qeverisë. Por, Qemajl Mustafa vlerëson se partnerët e koalicionit do të vendosin se kur Ramush Haradinaj do të kthehet në Gllogjan.

Kryetari me aktakuzë i PDK’së në Gjilan, Qemajl Mustafa ka thënë se s’e ka dëgjuar e lexuar një deklaratë të Xhavit Halitit se s’bën zyrtarët e PDK’së nëpër komuna të flasin për rrëzimin e Qeverisë.

Megjithëkëtë, ai ka thënë se prej pasluftës, në zgjedhje është shkuar pasi Ekzekutivi është rrëzuar nga pozita.

“Nuk e paskam pa as dëgjue atë që e ka thënë Xhavit Haliti”, ka thënë Qemajl Mustafa, për Express.

“Sa për qeveri e kam thënë që partnerët ne koalicion vendosin pasi që opozita tradicionalisht nuk e ka rrëzuar Qeverinë”, ka shtuar ai.

Xhavit Haliti, anëtar i Kryesisë Qendrore të PDK’së dhe Nënkryetar i Parlamentit, kërkoi para disa ditësh që askush nga PDK’ja që s’është në Qeveri të mos bëjë thirrje për rrëzimin e Ramush Haradinajt. Madje, tha se vetëm Kryetari dhe Kryesia mund të dalin më qëndrim të tillë se kur duhet të shkohet në zgjedhje të reja.

Ky reagim i Halitit kishte ardhur pasi Qemajl Mustafa, Kryetar i ri i Degës së PDK’së në Gjilan, tha e duhet të rrëzohet Qeveria e Ramush Haradinajt për shkak të mosfunksionimit të shtetit përkatësisht dialogut e Parlamentit.

“Sikurse që themi ne shpesh në elektronikë e në informatikë duhet me resetu gjendjen duhet me ristartu”, kishte deklaruar Kryetari i PDK’së në Gjilan.

PDK, AAK e NISMA aktualisht janë në koalicion dhe kanë formuar Qeverinë e cila në shtator mbush dy vjet.

Kohëve të fundit ka pasur akuza ndërmjet AAK’së e NISMA’s lidhur me atë se kush është më i afërt me PDK’në.

Aktualisht PDK është partia e dytë në Parlament dhe e treta në nivel të Kosovës nën udhëheqjen e Komunave.

Së fundmi, Kadri Veseli, lider i rizgjedhur i PDK’së, pasi e kreu Konventën e Përgjithshme vendosi t’i largojë nga Qeveria e Partia njerëzit me aktakuza. Vendimi i tij është zbatuar vetëm në Qeveri. S’është zbatuar në Parlament e Parti. Po vazhdojnë të mbajnë pozita partiake dhe në Parlament njerëzit me aktakuza.

Qemajl Mustafa është njëri prej të prekurve nga ku vendim, megjithëse, vazhdon të flasë si Shef i PDK’së në Gjilan.

Madje, thotë se PDK është rritur pas këtij vendimi të Shefit të PDK’së. /GazetaExpress/

the authorBurbuqe Metolli